Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” përshëndet vendimin e Departamentit të Shtetit ndaj liderit të opozitës në Shqipëri, ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha. VATRA, si organizata më e vjetër e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e themeluar mbi vlerat e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë, ka besuar gjithmonë se çdo çështje duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve, transparencës dhe parimeve themelore të shtetit të së drejtës. Në këtë frymë, ne e mirëpresim këtë zhvillim si një moment që forcon besimin në proceset demokratike dhe në rëndësinë e respektimit të standardeve të drejtësisë.
Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten ndër popujt më pro-amerikanë në botë. Marrëdhënia e veçantë midis kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ndërtuar mbi sakrifica të përbashkëta, mbështetje të vazhdueshme të partneritetit strategjik në shërbim të paqes, demokracisë dhe zhvillimit. VATRA shpreh kënaqësinë e saj për këtë qëndrim të ri dhe shpreson që ky zhvillim të kontribuojë në forcimin e dialogut politik dhe përkushtimit ndaj institucioneve demokratike në Shqipëri dhe në të gjithë hapësirën shqiptare. Në të njëjtën kohë, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” rithekson përkushtimin e saj të palëkundur ndaj vlerave demokratike, drejtësisë, respektimit të ligjit dhe partneritetit të përhershëm shqiptaro-amerikan, duke besuar se e ardhmja e kombit tonë ndërtohet mbi këto parime themelore.
Me respekt,
Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”
Dr. Elmi Berisha




