Rektorja e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Prof. Dr. Blerta Dragusha, dhe Kryetari i Fondacionit “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR), z. Mehdi Gurra, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi afatgjatë.
Qëllimi kryesor i këtij partneriteti është përkushtimi ndaj studentëve në Shqipëri dhe kudo që do të shtrihet bashkëpunimi, duke synuar ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve arsimore e kulturore në qytetin e Shkodrës.
Për realizimin e këtyre objektivave, Fondacioni ALSAR do të kontribuojë në pasurimin e bibliotekave universitare, organizimin e konferencave, seminareve e panaireve, si dhe në mbështetjen e botimeve akademike. Gjithashtu, marrëveshja parashikon akordimin e bursave të ekselencës për studentët më të mirë, përmirësimin e infrastrukturës arsimore, si dhe ndihmë financiare e humanitare për studentët në vështirësi, me fokus të veçantë te studentët jetimë.
Nga ana e tij, Universiteti i Shkodrës do të sigurojë aksesin e nevojshëm, angazhimin e specialistëve dhe mbështetjen e duhur institucionale për të garantuar një koordinim dhe bashkëpunim sa më transparent e efektiv në dobi të komunitetit akademik. Një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të arsimit dhe mbështetjes së brezit të ri!, njofton Universiteti “Luigj Gurakuqi”, përcjell helveticALforum.ch.










