Universiteti i Tetovës zgjeron rrjetin e bashkëpunimit ndërkombëtar përmes një partneriteti të ri me Universitetin Sapienza të Romës, një nga institucionet e njohura akademike në Itali. Marrëveshja pesëvjeçare synon avancimin e arsimit, kërkimit shkencor dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e arkitekturës.
Më 27 tetor 2026, u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit të Shkencave të Zbatuara – Departamentit të Arkitekturës të Universitetit të Tetovës dhe Departamentit të Arkitekturës dhe Projektimit të Universitetit Sapienza të Romës. Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në mësimdhënie dhe kërkim shkencor. Në kuadër të partneritetit pesëvjeçar, parashikohen shkëmbime të stafit akademik, pjesëmarrje në programe kërkimore, si dhe realizimi i publikimeve të përbashkëta shkencore.

Gjithashtu, bashkëpunimi do të përfshijë organizimin e konferencave, seminareve, studiove të përbashkëta të projektimit arkitekturor, shkollave verore dhe punëtorive praktike. Përmes këtyre aktiviteteve, studentët dhe stafi akademik do të kenë mundësi të përfitojnë nga përvojat, praktikat dhe qasjet bashkëkohore të një institucioni prestigjioz evropian, duke kontribuar në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe zhvillimin profesional në fushën e arkitekturës. Ky partneritet përfaqëson një tjetër dëshmi të angazhimit të Universitetit të Tetovës për ndërkombëtarizimin e veprimtarisë akademike, zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimeve me universitete evropiane dhe forcimin e kapaciteteve kërkimore.
Njëkohësisht, marrëveshja krijon mundësi që ekspertiza dhe potenciali krijues i stafit akademik dhe studentëve të Universitetit të Tetovës të promovohen në arenën ndërkombëtare, përmes projekteve, hulumtimeve dhe iniciativave të përbashkëta. Bashkëpunimi me Universitetin Sapienza të Romës pritet të sjellë përfitime afatgjata për të dy institucionet, duke hapur horizonte të reja për zhvillimin akademik dhe profesional në fushën e arkitekturës./UT










