Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka dekoruar me Medaljen “Shërbim i Shquar” të Ministrisë së Mbrojtjes gjeneralmajorin Stephen E. Osborn, Adjutant të Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Gjatë takimit me gjeneralmajorin Osborn, ministri Maqedonci vlerësoi angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe mbështetjen e dhënë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së.
Sipas njoftimit të ministrit, dekorata iu nda gjeneralmajorit amerikan për shërbimin e dalluar, përkushtimin dhe kontributin e dhënë në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Ajovës.
Maqedonci theksoi se partneriteti ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës ka pasur rol të rëndësishëm në procesin e transformimit dhe profesionalizimit të ushtrisë së Kosovës, duke ndikuar në rritjen e kapaciteteve dhe përgatitjes operacionale të saj.
Ai gjithashtu nënvizoi se bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të Ajovës përfaqëson një dëshmi të marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë partner strategjik dhe aleat kryesor i Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të Ajovës mbetet një nga mekanizmat e rëndësishëm për zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.
Dekorimi i gjeneralmajorit Stephen E. Osborn vjen si vlerësim institucional për kontributin e tij në këtë partneritet, i cili synon forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe avancimin e mëtejshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, transmeton rtk.










