Pejë, 5 nëntor 2026- Fakulteti Juridik i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë organizoi seminarin interaktiv me temën “Kosova drejt integrimit evropian”, i cili mblodhi mbi 80 studentë, profesorë dhe profesionistë të fushës së drejtësisë, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme të diskutimit akademik mbi procesin e integrimit evropian dhe sfidat me të cilat përballet Kosova.
Seminari u hap nga dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është një proces strategjik që kërkon përkushtim institucional, sundim të ligjit, forcim të demokracisë, pavarësi të institucioneve dhe harmonizim të legjislacionit me standardet evropiane. Ai vuri në pah edhe rolin e universiteteve në këtë proces, veçanërisht në përgatitjen e gjeneratave të reja të juristëve dhe profesionistëve, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të studentëve në diskutimet për të ardhmen evropiane të vendit.

Seminari u moderua nga Prof. Dr. Sabiha Shala, ndërsa në cilësinë e ligjëruesve dhe panelistëve morën pjesë profesionistë dhe ekspertë të fushave përkatëse. Bardhyl Hasanpapaj, ekspert i së Drejtës Evropiane dhe përfaqësues i Kompanisë së Shërbimeve Ligjore të Kosovës, trajtoi rëndësinë e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, duke theksuar rolin e tij në vlerësimin e reformave dhe përparimit institucional të vendit. Sébastien Gricourt, ish-këshilltar i jashtëm francez për çështjet evropiane në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës gjatë periudhës 2021 – 2025, ndau përvojën e tij profesionale dhe institucionale lidhur me proceset dhe zhvillimet evropiane në Kosovë. Burim Blakaj, ekspert për monitorimin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe ish-zyrtar i OSBE-së, diskutoi për pavarësinë e gjyqësorit në Republikën e Kosovës, ndërsa Prof. Asoc. Dr. Orhan Çeku, nga fusha e së Drejtës Penale dhe Sigurisë Kombëtare në Fakultetin Juridik, trajtoi mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe mundësinë e rishikimit të tij.
Pas prezantimeve të panelistëve, u zhvillua një diskutim interaktiv me pyetje dhe përgjigje, ku studentët patën mundësinë të parashtrojnë pyetje, të ndajnë mendimet e tyre dhe të bashkëbisedojnë drejtpërdrejt me ekspertët për çështje që lidhen me integrimin evropian, sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Në përmbyllje, dekani Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani prezantoi përmbledhjen dhe konkluzionet e seminarit, duke vlerësuar kontributin e panelistëve dhe rëndësinë e këtij aktiviteti për avancimin e debatit akademik dhe ndërlidhjen e njohurive teorike me përvojat profesionale e institucionale. Me këtë rast, dekani ndau mirënjohje për panelistët, në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre, ndërsa Prodekani Prof. Ass. Dr. Artan Maloku ndau certifikata për studentët pjesëmarrës, të lëshuara nga Fakulteti Juridik. Në seminar morën pjesë mbi 80 studentë, duke dëshmuar interesimin e tyre të lartë për çështjet që lidhen me perspektivën evropiane të Kosovës.
Përmes këtij aktiviteti, Fakulteti Juridik riafirmon përkushtimin për organizimin e aktiviteteve akademike interaktive, fuqizimin e rolit të studentëve, promovimin e kulturës së debatit dhe ndërlidhjen e arsimit juridik me zhvillimet evropiane dhe institucionale.
Fakulteti Juridik – cilësi dhe profesionalizëm në edukimin për drejtësi, transmeton UHZ, përcjell helveticALforum.ch.
https://unhz.eu/…/fakulteti-juridik-organizoi…
#UniversitetiHaxhiZeka#FakultetiJuridik#KosovaDrejtBE#IntegrimiEvropian#SundimiILigjit#Drejtësia#StudentëtNëQendër#ArsimiJuridik#DebatAkademik#Ndërkombëtarizimi#ModelPërDrejtësi










