BallinaDiasporaChiari, qyteti italian ku shqiptarët janë kthyer në një pjesë të rëndësishme...

Chiari, qyteti italian ku shqiptarët janë kthyer në një pjesë të rëndësishme të jetës shoqërore dhe ekonomike

-

Me 1,342 banorë dhe 8.2 për qind të popullsisë, shqiptarët përbëjnë komunitetin më të madh të huaj në qytetin e Chiari-t, në provincën e Breshias. Pas më shumë se tri dekadash emigracion, ata janë integruar në jetën e qytetit, duke krijuar familje, biznese dhe një histori të përbashkët me vendësit.

Qyteti italian i Chiari-t, në provincën e Breshias, është kthyer ndër vite në një nga qendrat më të rëndësishme të pranisë shqiptare në këtë pjesë të Italisë. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, përfshirë edhe Corriere della Sera, në këtë qytet jetojnë 1,342 shtetas shqiptarë, të cilët përbëjnë 8.2 për qind të popullsisë së përgjithshme. Shqiptarët renditen kështu si komuniteti më i madh i huaj në Chiari, pas shtetasve italianë. Megjithatë, këto shifra nuk pasqyrojnë të gjithë praninë shqiptare, pasi nuk përfshijnë ata që ndër vite kanë fituar shtetësinë italiane. Pesha e këtij komuniteti bëhet edhe më e dukshme po të merret në konsideratë fakti se në Chiari jeton pothuajse një në dhjetë shqiptarë të regjistruar në të gjithë provincën e Breshias.

Nga emigracioni i viteve ’90 te ndërtimi i një jete të re

Historia e vendosjes së shqiptarëve në këtë qytet lidhet kryesisht me valët e emigracionit të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000. Në kërkim të mundësive për një jetë më të mirë, shumë familje shqiptare zgjodhën këtë zonë të Italisë, ku gradualisht arritën të ndërtonin një të ardhme të qëndrueshme. Ajo që nisi si një lëvizje emigracioni, me kalimin e viteve u shndërrua në një proces të mirëfilltë integrimi. Shumë prej emigrantëve të parë krijuan familje, rritën fëmijët në Itali, fituan shtetësinë italiane dhe u bënë pjesë e pandashme e komunitetit vendas. Puna luajti një rol vendimtar në këtë proces. Shqiptarët u përfshinë veçanërisht në sektorin e ndërtimit, por aktiviteti i tyre ekonomik është zgjeruar edhe në fusha të tjera, përmes sipërmarrjeve private, bizneseve familjare dhe profesioneve të ndryshme. Të dhënat për provincën e Breshias tregojnë gjithashtu se shqiptarët përbëjnë grupin e dytë kombëtar, pas pakistanezëve, mes shtetasve të huaj që janë ortakë, pronarë apo mbajnë pozicione drejtuese në biznese.

Një komunitet që ndihet edhe në jetën publike

Prania shqiptare në Chiari nuk matet vetëm me numrin e banorëve apo aktivitetin ekonomik. Ajo është bërë e dukshme edhe në jetën sociale dhe publike të qytetit. Me kalimin e viteve, komuniteti shqiptar ka krijuar lidhje të forta mes familjeve, ka zhvilluar aktivitete të ndryshme dhe është përfshirë në dinamikat e përditshme të shoqërisë italiane. Pesha e tij demografike është reflektuar edhe në jetën elektorale lokale. Ndërkohë, brezi i dytë po ndërton një profil të ri të shqiptarëve në Itali. Të rinj që janë rritur dhe arsimuar në këtë vend po vijojnë studimet universitare, po punojnë në profesione të ndryshme dhe po marrin gjithnjë e më shumë pjesë në jetën ekonomike e shoqërore të zonës. Për shumë prej tyre, Italia është vendi ku kanë lindur ose janë rritur, ndërsa lidhjet me origjinën shqiptare mbeten pjesë e identitetit dhe historisë familjare.

Vdekja e Meleqe Lushës, një ngjarje që ka prekur komunitetin

Në këtë kontekst të një komuniteti të konsoliduar, lajmi për vdekjen e Meleqe Lushës ka shkaktuar tronditje dhe mosbesim te shumë shqiptarë që jetojnë në Chiari dhe në zonat përreth. Reagimi i madh ndaj kësaj ngjarjeje dëshmon edhe një herë lidhjet e forta që ekzistojnë mes bashkëkombësve në këtë qytet. Pas kaq shumë vitesh bashkëjetese, familjet shqiptare nuk janë më thjesht pjesë e një komuniteti emigrantësh, por përbëjnë një rrjet të konsoliduar marrëdhëniesh shoqërore dhe familjare. Më shumë se tri dekada pas valëve të para të emigracionit, historia e shqiptarëve në Chiari është historia e një komuniteti që ka arritur të ndërtojë jetën e tij larg vendlindjes, pa humbur lidhjet me origjinën. Nga punëtorët e parë që mbërritën në vitet ’90, te sipërmarrësit, profesionistët dhe brezi i ri i arsimuar në Itali, shqiptarët janë kthyer në një pjesë të rëndësishme të realitetit të këtij qyteti të provincës së Breshias, transmeton tch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Gërvalla kërkon zbardhjen e plotë të rastit të Astrit Deharit: Drejtësia...

0
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit, duke theksuar se edhe dhjetë vjet pas...