BallinaArsimiUNIVERSITETI “HAXHI ZEKA” MERR DREJTIMIN E KONFERENCËS SË REKTORËVE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE...

UNIVERSITETI “HAXHI ZEKA” MERR DREJTIMIN E KONFERENCËS SË REKTORËVE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE TË KOSOVËS

-

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ishte sot nikoqir i takimit të rregullt të Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë të Republikës së Kosovës, një ngjarje e rëndësishme për koordinimin e politikave dhe forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar në nivel vendi. Në kuadër të këtij takimi, Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, mori zyrtarisht detyrën e Kryesuesit të Konferencës së Rektorëve, duke pranuar këtë përgjegjësi nga Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, prof.asoc.dr. Mentor Alishani. Marrja e drejtimit të Konferencës nga Universiteti “Haxhi Zeka” përbën një moment të rëndësishëm institucional, duke e vendosur universitetin në një rol udhëheqës në koordinimin e nismave të përbashkëta dhe përfaqësimin e interesave të universiteteve publike të Kosovës. Gjatë takimit, rektorët diskutuan për prioritetet strategjike të arsimit të lartë, sfidat e përbashkëta dhe mundësitë për avancimin e cilësisë akademike, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Një nga rezultatet kryesore të takimit ishte miratimi i Deklaratës së Konferencës së Rektorëve, e cila përcakton orientimet dhe angazhimet e përbashkëta për vitin akademik 2026/2027.

Në fokus të Deklaratës u vendos mbështetja aktive për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+, duke theksuar gatishmërinë e universiteteve publike për të qenë partnerë të rëndësishëm të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në proceset e reformimit dhe modernizimit të arsimit të lartë. Në këtë drejtim, u parashikua edhe organizimi i takimeve të zgjeruara në nivel të prorektorëve, me qëllim harmonizimin e propozimeve dhe forcimin e kontributit institucional në politikat kombëtare të arsimit.

Po ashtu, Konferenca u angazhua që gjatë vitit akademik 2026/2027 të organizojë të paktën një konferencë të përbashkët ndëruniversitare, e cila do të trajtojë tema me rëndësi strategjike, përfshirë profilizimin e universiteteve publike, digjitalizimin, zhvillimin e shkencës dhe kërkimin shkencor. Kjo nismë synon konkretizimin e Marrëveshjes shumëpalëshe të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike të arsimit të lartë.

Një ndër nismat më të rëndësishme të miratuara është organizimi i Samitit të Universiteteve Gjithëshqiptare në pranverën e vitit 2027, me Universitetin “Haxhi Zeka” si organizator, në emër të Konferencës së Rektorëve.

Ky samit do të mbledhë universitetet publike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me synim krijimin e një platforme të përbashkët akademike për avancimin e mësimdhënies, kërkimit shkencor, mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, si dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

Me marrjen e kësaj përgjegjësie, Universiteti “Haxhi Zeka” riafirmon përkushtimin e tij për të qenë një institucion aktiv në zhvillimin e politikave të arsimit të lartë, promovimin e bashkëpunimit akademik dhe fuqizimin e rolit të universiteteve publike në zhvillimin arsimor, shkencor dhe shoqëror të Republikës së Kosovës, transmeton UHZ, përcjell helveticALforum.ch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

OKB reagon për protestat në Tiranë: Ndaloni dhunën dhe ulni tensionet

0
Zyra e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka shprehur shqetësim për dhunën e fundit dhe rritjen e tensioneve gjatë protestave në Tiranë. Përmes një...