POSTIMET E FUNDIT

TRI LETRA TË FAN NOLIT…

Nga Enver Memishaj

Për të prezantuar dhe kuptuar dy letrat e Fan Nolit (1882 – 1965), më parë duhet të themi dy fjalë për kohën kur ato janë shkruar. Përfundimi i Luftës së Parë Botërore (1914 – 1918), e fshiu nga harta botërore shtetin shqiptar që kishte lindur me luftë e sakrifica më 28 nëntor 1912. Fuqitë e mëdha, apo vendet e qytetëruar siç i quajmë ne sot e kishin copëtuar Shqipërinë e vitit 1913, dhe ua kishin dhënë si dhuratë fqinjëve tanë grabitqarë. Kështu që shqiptarët vendosën t’i dilnin vetë zot fatit të tyre. Atdhetarë dhe mëndje të ndritura të vendit u mblodhën në Kongresin e Lushnjës më 21 janar 1920 dhe pak më vonë vlonjatët vendosën ose të hidhnin në det pushtuesin italian, të çlironin Vlorën dhe ta bashkonin me administratën e qeverisë së Sulejman Delvinës ose të shuheshin me gjithë ç’kishin.

Ndërsa vlonjatët e shqiptarët luftonin me Italinë, grekët nxituan të shkëpusnin një copë nga trokat shqiptare. Në këtë udhë heroizmi dhe therorie që kishin hyrë vlonjatët, u duk përsëri pabesia greke që u mundua të godiste pas shpine interesat e popullit shqiptar. Qazim Kokoshi, prefekti i prefekturës së Drashovicës, pasi për arsye politike, Komiteti Mbrojtjes Kombëtare që udhëhoqi Luftën e Vlorës e kishte shpallur Drashovicën prefekturë, dhe Vlorën nënprefekturë që varej nga Drashovica, më 20.7.1920 i shkruante Ahmet bej Zagollit, Ministrit të Brendshëm: “Kur gjanë sulmet tona kundëra ushtrisë italiane dhe kur armët tona u kurorëzuan me fitim duke shtrënguar armikun të mblidhet në porta të Vlorës, ushtria italiane që ndodhej në Himarë, iku me të shpejtë duke liruar krejt Himarën.

Ca ditë Himara mbeti pa ndonjë qeveri, duke qenë se ushtria kombëtare nuk e ndiente veten të fortë të copëtonte fuqitë, duke i çuar lartë e poshtë. Pas ca kohe dëgjuam ca lajme dhe në ditët e fundit u vërtetua që himarjot nën kryesinë e Niko Milos, proklamuan autonominë e Himarës duke marrë brenda shtatë fshatra. Hoqën një flamur me shtatë yje dhe me një shqiponjë në ngjyrë të qiellit, rregulluan një postë me pulla të grekut etj, etj.

Neve duke pasur një armik përpara, dhe duke bërë çdo sakrificë që t’i bëjmë ballë këtij, nuk mundemi as me mend as me fuqi të kthehemi dhe të merremi me një çështje tjetër, ndërsa edhe ajo është një plagë e pa shërueshme për nevej… Çështja e Himarës është edhe ajo fort me rëndësi, prandaj i lutem z. tuaj të merrni masa të nevojshme dhe të shpejta”.

Ndërsa komandanti i batalionit të xhandarmërisë së Gjirokastrës n/toger, firma, më datën 15.7.1920, i shkruan Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë: “Pas një fonogrami marrë prej kompanisë së Delvinës lajmërohet se himarjotë kanë ngrehur një si qeveri më vete nën kryesinë e Niko Milos dhe kështu duan që të marrin në dorë dhe doganën. Thuhet se Niko Milua ka ngrehur dhe banda greke, po jo në zyrë, po në shtëpinë e tij dhe kur sheh vaporrin italian që gjezdis afër detit se heq”

Kështu zhvillohet një korrespodencë ndërmjet prefekturave të Drashovicës (Vlorës) dhe Gjirokstrës me Ministrinë e Brendshme, se si duhej vepruar me Çështjen Himara. Qeveria e Sulejman Delvines shfaqet e vendosur për të mbrojtur tokat shqiptare kur iu shkruan prefekturave: “Vlorës ju dha urdhën rreptësisht që të ndalojë këtë lëvizje. Në qoftë nevoja edhe me pushkë. Prandaj edhe nga ana juaj të mirren masat ma të shpejta e ma të rrepta dhe në e dashtë nevoja dhe me armë. Të ndaloni çfardo lëvizje që mund të bëhet”.

Por në situatën e krijuar nga lufta, qeveria merr vendim që të mos ndërhyhej në Himarë, por të kontaktohej me parinë e himariotëve dhe ata të bindeshin se ishin shqiptarë dhe se kaluara dhe e ardhmja e tyre ishte me shtetin shqiptar.

Kështu u veprua nga patriotët e shumtë vlonjatë deri sa më 2 qershor 1921, kur qeveria vendosi të nderhyhet në Himarë, të dëboheshin renegatët grekë dhe të vendosej atje administrata shqiptare. Lavdia i takon major Ahmet Lepenicës i cili hartoi planin strategjik për të marrë Himarën. Në krah të tij do të gjendej një patriot tjetër, kapiten Azis Çami i cili me focat ushtarake që komandonte hyri në Himarë nga Llogoraja, ndërsa major Ahmet Lepenica, do dilte në majë të malit në Pilur dhe prej andej do të zbriste me vrull pas krahëve të himariotëve.

Kështu hynë në Himarë për herë të parë pas 28 nëntorit 1912, forcat shqiptare dhe major Ahmet Lepenica vedosi atje administratën dhe xhandarmërinë shqiptare.

* * *

Në këto ditë të vështira kur po bëhej shteti shqiptar, ose po rilindte Pavarësia, e përmbysur nga Lufta e Parë Botërore, për fatin e keq të këtij populli kishte edhe tentative të tjera të brendshme që pengonin forcat progresiste për të bërë shtet. Jo vetëm Himara e shtyrë nga Greqia, por edhe Kurveleshi! “Në Kurvelesh kërkohet të formohet një nënprefekturë ma shumë me qëllime vetjake se tjetër gjë”, etj.

Në këto ditë Fan Noli ndërsa ishte me detyrën e kryetarit të delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më

17 dhjetor 1920, nuk e hiqte vëmendjen nga zhvillimi i ngjarjeve në Shqipëri. Letra e parë dhe e dytë janë të periudhës kur po konsolidohet shteti shqiptar.

Letra e Parë.

Ai i shkruan Ministrisë së Punëve të Brendshme: “Zotni Ministër! Kam nderin t’ju bëj të njohur se kopjet e dokumentave të prefekturës së Gjirokastrës që m’i dërguat në letrën tuaj më datë 14 tetor nr. 210, si dhe annexet e saj si dhe letrën më datë 27 tetor, nr. 7485, i mora dhe i këndova me vrejtje.

Telefoni (kupto telegram E.M.) që i jep guvernatori i Janinës inspektorit civil të asaj prefekture Namik be Delvinës është një grackë politike për të marrë një shkresë zyrtare që e pranon autonominë e Himarës.

Më këtë telefon (kupto telegram) guvernatori i Janinës e përmend në tre vende vetqeverimin e Himarës dhe thotë se ky vetqeverim u bë me vendimin e Tiranës.

Inspektori ynë Namik be Delvina pa e pyetur qeverinë e vetë i përgjigjet guvernatorit të Janinës”.

Kjo letër e Fan Nolit është një dëshmi më shumë, për patriotizmin e atij burri që e shkriu jetën e tij për popullin shqiptar, duke lënë gjurmë të pa shlyera në çdo fushë të punës, luftës dhe dijet ku militoi.

Letra e dytë.

Të kësaj periudhe kemi gjetur edhe një letër ose shkresë tjetër të Fan Nolit që mban datën 23 nëntor 1920 dhe i drejtohet Ilias Vrionit, Kryeministër i Shqipërisë, në të cilën shkruan: “Die Komisioni i “Ligës Kombeve” ndënë kryesinë e Lodr Robert Cecil – it, na ka pyet për një horë (orë) e gjymës – mbi konditat e Shqipëniës – dhe u dukte fort i interesuar prej lajmeve t’ona. Fan Noli”.

Nga këto dy shkresa ose letra të Nolit po ti vërejmë me kujdes arrimë në disa përfundime, jo vetëm për shkrimin e bukur dhe të qartë si shpirti dhe karakteri tij, por edhe se sa mirë e shkruan ai gjuhën shqipe, shumë pak njerëz në atë kohë mund ta shkruanin gjuhën shqipe si Noli, po ashtu në këto letra duket dija, kultura, edukata etj.

Letra e tretë e Fan Nolit është shkruar më 24 prill 1932, në kohën e emigracionit politik dhe i drejtohet shokut tij, të idealit, Xhevdet Dëshnicës:

“I dashur shok,

Artikullin tuaj, me ca ndreqie dhe ndryshime të pakta, ia dërgova Tashkos* në Boston që ta botojë në “Republika”. Gjithashtu e porosita t’ju dërgonjë 20 numura të gazetës çdo javë që t’ua përndani miqve andej. Na shkruani kurdoherë që të kini lajme, se shoh që ju vjen doresh. M’i dërgoni këtu në Gjermani tani për tani. U gëzova shumë që ju pëlqen “Republika”.

Për fat të keq, jemi ngushtë nga financat dhe u shtërnguam ta vogëlojmë. Se njerëzit janë pa punë fare, a me gjysëm punë që mezi fitojnë bukën. Mos na harroni . Të fala të gjith miqve andej. Juaji me besë Fan S. Noli. Postë Restante, Hamburg Allemagne” (* -Tashko – Koço Tashko)

Kush ishte Xhevdet Dëshnica?

Lindi në vitin 1896 në Berat dhe u nda nga jeta në vitin 1972 ne Tiranë. Ai kishte hyrë në jetën politiko-shoqërore shqiptare që në moshën 19 vjeçare, në vitin 1915, kur qe kthyer mësues në qytetin e lindjes pas mbarimit të liceut të Manastirit dhe Normales së Elbasanit.

Në vitin 1919, në një demonstratë, nga ballkoni i bashkisë së Fierit me guxim iu drejtua pushtuesit italian me thirrje: “Na lironi atdheun, lironi Vlorën kreshnike”.

Në vitin 1920, përkrah 500 luftëtarëve beratas mori pjesë në Luftën e Vlorës kundër pushtuesit Italian.

Më tutje ai do të ishte bashkëluftëtar i Avni Rustemit, Llazar Fundos, Halim Xhelos e Riza Cerovës dhe u zgjodh kryetar i degës “Bashkimi” të Beratit.

Nga shtypi i kohës mësojmë rolin e madh që ka luajtur Xhevdet Dëshnica në udhëheqje të kësaj shoqërie: ”Sot në ora 3 u mbajt këtu në Berat një miting prej 5000 vetash. E para për të kundërshtuar mizoritë serbo-greke në Kosovë e Çamëri…”

Në mbështetje të ideve që u hodhën në këtë miting djalëria intelektuale e Vlorës, Fierit dhe Beratit shtuan presionin ndaj qeverisë së Fan Nolit: ”Mbasi Serbia po ther vëllezërit kosovarë djalëria intelektuale e Vlorës, Fierit dhe Beratit i kërkojnë governës kombëtare të protestojë në Lidhjen e Kombeve. Për djalërinë vlonjate Uan Filipi, për djalërinë e Fierit Zoi Xoxa, për djalërinë e Beratit Xhevdet Dëshnica”.

Në udhëheqje të shoqërisë “Bashkimi” Xhevdet Dëshnica mori pjesë aktive në Kryengritjen e Qershorti të vitit 1924 dhe në ditët e pazarit ai mbante konferenca para popullit dhe bënte thirrje për përkrahje të qeverisë së Fan Nolit. Me dështimin kësaj kryengritje pas një muaj maleve mundi të arratisej jashtë shtetit. U anëtarësua në KONARE dhe botoi artikuj në gazetën “Liria Kombëtare”. U kthye në atdhe në vitin 1939, pas 15 vjetësh mërgimi. Mori pjesë aktive në Lëvizjen Antifashiste dhe në vitin 1943 megjithëse në moshë të madhe doli partizan dhe luftoi me armë në dorë kundër pushtuesve nazi-fashist.

Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Këshilli i Bashkisë Berat i ka dhënë Xhevdet Dëshnicës titullin: “Nderi i Qytetit”, me motivacion : “Për kontribut të shquar atdhetar dhe patriotik në shtet formimin dhe shpalljen e Pavarësisë si një shtet i lirë dhe sovran, për sakrificën humane, intelektuale dhe qytetare në mbrojtje të vlerave më të mira morale dhe shoqërore të qytetit tonë dhe mbajtjen lart të emrit shqiptar dhe krenarisë kombëtare”. /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB