Me ftesë të Xhamisë në Wil, konkretisht të kryetarit dhe imamit të saj, Bekim ef. Alimi, kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, Fehim ef. Abazi, i shoqëruar nga dy nënkryetarët, dr. Mixhit ef. Osmani dhe z. Mensur Nuhiu, morën pjesë në takimin me bashkatdhetarët, të organizuar në kuadër të bashkëbisedimit të hapur “Të flasim hapur”.
Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Bekim Sali, deputetja znj. Imerlie Saliu, si dhe z. Arbër Bullakaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të Konfederatës Zvicerane (Nationalrat) dhe anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme, i cili gjithashtu mbajti fjalë rasti.
Gjatë takimit u diskutua hapur për çështje që lidhen me jetën e qytetarëve në vendlindje, si dhe për sfidat dhe problematikat me të cilat përballet mërgata gjatë kthimit dhe qëndrimit në vendlindje. Bashkëbisedimi ishte i hapur dhe konstruktiv, me pyetje, sqarime dhe diskutime të drejtpërdrejta.

Në kuadër të takimit, kryetari i KMSHZ-së, Fehim ef. Abazi, pranoi në emër të Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër dy mirënjohje të veçanta: njëra nga zëvendëskryeministri i parë z. Bekim Sali dhe tjetra nga Kryesia e Xhamisë së Wilit, në shenjë vlerësimi për kontributin dhe angazhimin e KMSHZ-së.

Në fjalën e tij, kryetari Abazi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të vendlindjes dhe mërgatës, duke bërë një thirrje të veçantë për ruajtjen e unitetit të mërgatës shqiptare. Ai kërkoi që dallimet politike dhe përkatësitë partiake të mos bëhen shkak për përçarje dhe u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike dhe institucioneve që, gjatë aktiviteteve në mërgatë, të kenë kujdes me mesazhet dhe veprimet e tyre.
Mërgata ka nevojë për unitet, mirëkuptim dhe bashkëpunim, e jo për ndarje. Ajo është një pasuri e përbashkët dhe duhet të jetë hapësirë ku të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike, të ndihen të respektuar dhe të bashkuar rreth vlerave dhe interesave të përbashkëta.
Kryetari Abazi vuri në pah edhe kontributin e jashtëzakonshëm të mërgatës ndër vite, duke theksuar se ajo nuk duhet të shihet vetëm si burim financiar, por mbi të gjitha si një pasuri njerëzore, profesionale dhe intelektuale. Shqiptarët në mërgatë janë të pranishëm në arsim, kulturë, ekonomi, politikë, drejtësi, shkencë dhe shumë profesione të tjera, ndërsa shumë të rinj tanë mbajnë pozita të rëndësishme në vendet ku jetojnë.

Po ashtu, u theksua roli i rëndësishëm i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, qendrave islame dhe xhamive shqiptare në edukimin e brezave të rinj, ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës, traditës dhe identitetit tonë kombëtar e fetar.
Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër mbetet i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha institucionet tona, duke besuar se ky bashkëpunim duhet të jetë në funksion të interesit të përbashkët dhe afrimit të mërgatës me vendlindjen.
Mesazhi i këtij takimi ishte i qartë: Mërgata dhe vendlindja janë një e përbashkët. Mërgata ka nevojë për unitet, jo për përçarje; për bashkëpunim, jo për ndarje. Të ruajmë atë që na bashkon, të respektojmë dallimet tona dhe të ndërtojmë ura, jo mure.
Falënderojmë përzemërsisht Xhaminë e Wilit, kryesinë dhe në veçanti imamin e saj, Bekim ef. Alimi, për ftesën, organizimin, mikpritjen dhe pritjen e ngrohtë. Është kënaqësi dhe nder të jemi pjesë e takimeve të tilla, të cilat i shërbejnë bashkëpunimit dhe afrimit të mërgatës me vendlindjen.
Me respekt,
Kryesia e Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ)









