BallinaAtdheuKosova pret zhbllokimin e Kuvendit, seanca nis në orën 11:00

Kosova pret zhbllokimin e Kuvendit, seanca nis në orën 11:00

-

LVV, PDK dhe LDK konfirmojnë pjesëmarrjen në seancën e së mërkurës. Aleanca bojkoton procesin, ndërsa sigurimi i votave për kryetarin dhe nënkryetarët mbetet sfida kryesore.

Kuvendi i Kosovës pritet të rifillojë sot procesin e konstituimit, pas më shumë se një muaji bllokadë institucionale. Seanca e vazhdimit është caktuar për të mërkurën, në orën 11:00, ndërsa në qendër të saj pritet të jetë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Pjesëmarrjen në seancë e kanë konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ndërkohë, Aleanca ka vendosur të bojkotojë seancën.

Votat, sfida kryesore e seancës

Pjesëmarrja e LVV-së konsiderohet vendimtare për vazhdimin e procesit të konstituimit. Si subjekti që doli i pari në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja ka numrin më të madh të deputetëve dhe mbetet aktori kryesor në përcaktimin e udhëheqjes së Kuvendit.

Megjithatë, kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte deklaruar më herët se partia e tij nuk kishte arritur marrëveshje me subjektet e tjera politike për përbërjen e udhëheqjes së Kuvendit.

Në anën tjetër, PDK-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen e deputetëve të saj. Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, pas mbledhjes së partisë, ka theksuar se konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm dhe se vendi duhet t’i ketë institucionet funksionale sa më shpejt.

“Të gjitha veprimet që ne i ndërmarrim këto ditë ndërlidhen edhe me datën 16 shtator. Ne jemi të bindur se në këtë kohë Kosova ka nevojë që të ketë Kuvend të konstituuar”, ka deklaruar Hamza.

PDK-ja ka bërë të ditur se do të propozojë Vlora Çitakun për pozitën e nënkryetares së Kuvendit, duke insistuar se kandidatura e saj është dorëzuar brenda afatit të përcaktuar.

LDK-ja: Do të kontribuojmë në përfundimin e procesit

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, deputetja Jehona Lushtaku ka deklaruar se deputetët e LDK-së do të jenë të pranishëm dhe do të kontribuojnë në përfundimin e procesit të konstituimit.

“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit”, ka thënë Lushtaku.

Megjithatë, përtej pjesëmarrjes, mbetet e paqartë nëse subjektet politike do të arrijnë të sigurojnë numrin e nevojshëm të votave për zgjedhjen e udhëheqjes së Kuvendit.

Aleanca zgjedh bojkotin

Në dallim nga LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja, Aleanca ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën e së mërkurës.

Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka deklaruar pas mbledhjes së kryesisë se shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë e kanë mbështetur vendimin për bojkot.

Sipas Gjinit, pjesëmarrja në seancë do të nënkuptonte legjitimimin e asaj që ai e cilësoi si “shkelje të vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës” nga partia fituese e zgjedhjeve.

Një proces që ka mbetur pezull që nga gushti

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 7 qershor, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet më 8 korrik.

Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Afati përfundimtar ishte 7 gushti.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e kishte thirrur seancën e parë të legjislaturës së re më 6 gusht. Megjithatë, pamundësia për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët bëri që procesi të mbetej i papërfunduar.

Seanca vazhdoi më 8 gusht, nën drejtimin e Avni Deharit, por as atëherë nuk pati rezultat. Kurti kërkoi kohë për të vazhduar negociatat me partitë e tjera, ndërsa seanca u ndërpre pa u caktuar një datë e re.

Pas disa javësh presioni politik dhe kërkesave të vazhdueshme nga partitë opozitare për rifillimin e procedurave, më 4 shtator Avni Dehari njoftoi se vazhdimi i seancës do të mbahej më 9 shtator.

Marrëveshja për presidentin, një tjetër pikë e pasigurt

Në sfondin e krizës institucionale, më 31 gusht Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftuan një marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president.

Kandidat është ish-diplomati dhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu.

Megjithatë, marrëveshja nuk është mbështetur nga gjashtë deputetë të LDK-së, çka e bën të pasigurt edhe procesin e zgjedhjes së presidentit.

Kështu, seanca e së mërkurës shihet si një tjetër përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit institucional. Pavarësisht pjesëmarrjes së shumicës së subjekteve parlamentare, mbetet për t’u parë nëse partitë do të arrijnë të sigurojnë votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve të reja, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE...

0
Mësuese Teuta Dautaj: "Ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës amtare te fëmijët tanë është dhurata më e madhe që mund t'u bëjmë për të ardhmen...