Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara po thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me fokus forcimin e kapaciteteve dhe kontributin e përbashkët në misionet ndërkombëtare.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, zhvilloi një takim me gjeneralmajorin amerikan Jasper Jeffers III, komandant i Komandës Qendrore të Operacioneve Speciale të SHBA-së (SOCCENT) dhe komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza.
Gjatë takimit u diskutua rëndësia e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në kuadër të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ministri Nufi theksoi se angazhimi i përbashkët në NATO përbën një bazë të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, forcimin e sigurisë dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon.
Sipas tij, Shqipëria mbetet e angazhuar për zgjerimin e bashkëpunimit me SHBA-në dhe për pjesëmarrjen aktive në misionet e përbashkëta ndërkombëtare, në funksion të forcimit të Aleancës dhe garantimit të sigurisë së përbashkët, transmeton rtk.










