Nga Dr. Florinka Gjevori
Lektore e Historisë së Kosovës, Universiteti “A. Xhuvani” i Elbasanit
Punimi me titull “Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare “Vatra” dhe gazeta “Dielli” e SHBA-së (1981-2008), i përgatitur ngaprof. dr. Roland Gjini, paraqet një punë hulumtuese voluminoze e me vlerë shkencore, për një nga çështjet e rëndësishme të historiografisë sonë, si edhe historisë së shqiptarëve në tërësi, atë të rrugëtimit të ndjekur nga populli i Kosovës drejt pavarësisë së munguar e mohuar për gati një shekull, rrugëtim ky që pasqyrohet nëpërmjet rolit dhe kontributit që kanë luajtur në këtë drejtim Federata “Vatra” dhe gazeta “Dielli” e SHBA-së.
Tema e zgjedhur për trajtesë nga prof. Gjini përbën risi dhe është me mjaft interes. E gjithë përmbajtja shkon sinkron me tematikën, titujt e nëntitujt e vendosur. Është mbështetur në një bibliografi të bollshme dhe përmban një numër të konsiderueshëm referencash. Gjuha e përdorur është e thjeshtë, e qartë dhe e kuptueshme, mendimi i formuluar dhe paraqitur në këtë trajtesë është profesional dhe i saktë shkencërisht.
Punimi paraprihet nga një hyrje, ku autori në një përmbledhje të shkurtër e koncize pasqyron momente kyçe në historikun e trevës së Kosovës që nga antikiteti e deri në shpalljen e pavarësisë së saj, viti 2008, sikurse edhe historikun e krijimit të federatës “Vatra”, veprimtarinë e saj ndër vite dhe të gazetës “Dielli”, e cila u bë tribunë e mendimit të intelektualëve, patriotëve e atdhetarëve shqiptarë në mërgim, mbi zhvillimet aktuale të ngjarjeve në Shqipëri e Kosovë.
Autori vendos fillimisht në fokus të trajtesës, situatën e brendshme në Kosovë që pas Luftës së Dytë Botërore deri në prag të fillimit të demonstratës së vitit 1981, duke dhënë një analizë të plotë të shkaqeve që nxitën shpërthimin e saj, si dhe duke argumentuar gjendjen e vështirë të krijuar për popullsinë shqiptare të Kosovës nga pikëpamja sociale dhe politike, së cilës iu mohuan liritë dhe të drejtat kombëtare, nën diktatin dhe trysninë e autoriteteve serbe e jugosllave. Liritë dhe të drejtat kushtetuese të fituara në vitet ‘60-‘70, gjatë qeverisjes së J. B. Titos, (nga viti 1969 e deri në njohjen e KSA-së të Kosovës më 1974) ishin rrjedhojë jo vetëm e politikës lëshuese të udhëheqësit të ri të Jugosllavisë, por mbi të gjitha e përpjekjeve të pareshtura të popullsisë shqiptare, rinisë studentore, intelektualëve e atdhetarëve të pamposhtur, që ngritën zërin nëpërmjet protestave, demonstratave e manifestimeve të hapura kundër padrejtësive kushtetuese të ushtruara ndaj tyre dhe mostrajtimit në mënyrë të barabartë, sikurse popujt e tjerë të Jugosllavisë.
Rikthimi i autoritete serbe në politikën e tyre të mëparshme, si edhe anulimi i lëshimeve të bëra ndaj shqiptarëve pas vdekjes së Titos, i ngriti sërish shqiptarët drejt protestave të reja, që kulmuan me demonstratën e vitit 1981, në ballë të së cilës qëndronte rinia studentore. Autori na tregon me mjaft vërtetësi pasqyrimin e ngjarjeve të tilla në faqet e shtypit “Dielli”, por rrëfen edhe se si titujt e pasqyruar aty dhe analistët e këtij shtypi me shkrimet e tyre, e kanë sjellë në vëmendjen e lexuesve të kohës hap pas hapi këtë realitet tronditës nga njëra anë, por edhe shpresëplotë njëkohësisht nga ana tjetër, pavarësisht të gjitha pengesave që nxitën autoritet serbe, fillimisht për të mos lejuar përhapjen e lajmit nga Kosova e më pas për të fshehur dhunën e presionin që ushtrohej nga ana e tyre.
Tepër domethënës është edhe reagimi i Federatës “Vatra”, pasqyruar në faqet e gazetës “Dielli”, me notat e protestës së dërguar ndaj autoritete në SHBA, telegramit të drejtuar presidentit Regan, sikurse edhe grumbullimet fizike përpara Ambasadës së Jugosllavisë dhe selisë së OKB-së. Suprimimi i autonomisë dhe vendosja e regjimit ushtarak policor do të jenë veprimet e radhës që ndoqën serbët në vitet 1989-1999. Ndërsa Kosova, nga ana tjetër, ka nisur rrugën e veprimeve përshkallëzuese në drejtim të sigurimit të të drejtave të pamohueshme të saj. Shpallja e Republikës, mosnjohja dhe dënimi i saj nga ana e Jugosllavisë, reagimet e intelektualëve dhe akademikëve të Kosovës, si I. Rugova, A. Çeta, R. Qosja, Mark Krasniqi etj., do të jenë tematikat kryesore, që do të zënë vend sërish në faqet e gazetës së shtypit “Dielli”.
Autori vendos sërish një sërë fragmentesh të këtij shtypi jo vetëm me titujt e tij, por edhe opinionet e analizën që pasqyrohet në brendësi, nga një sërë shkrimesh të autorëve të ndryshëm, jo vetëm shqiptarë të Amerikës, por edhe shqiptarë të Kosovës e Shqipërisë, kongresmenë, arbëreshë etj. Pra, gazeta “Dielli” vazhdon të mbajë në kontakt të vazhdueshëm lexuesit e saj me pasqyrimin e ngjarjeve dhe zhvillimeve në rajonin e Kosovës dhe Jugosllavisë, por edhe të shpalosë opinionet e rezolutat e kongresmenëve amerikanë ndaj politikës së dënueshme serbe, si edhe analizat e bëra nga editorialë dhe gazetarë të ndryshëm në Kosovë, SHBA e në Europë, që shpesh nuk ngurronin të bënin edhe paralelizma mes situatës së shqiptarëve të Kosovës dhe shtetit komunist shqiptar nën drejtimin e E. Hoxhës.
Ngjarjet e viteve ‘90 ishin vendimtare drejt realizimit të pavarësisë, aq shumë të dëshiruar e të mohuar për popullin e Kosovës. Kuvendi i Kosovës shpalli Deklaratën dhe miratoi Kushtetutën e saj, ndërsa pas referendumit që do ta shpallë Kosovën Republikë, po ky Kuvend do të miratojë formimin e një qeverie të re të shqiptarëve. Edhe pse dhuna e represioni i serbëve ndaj shqiptarëve nuk ndalej, edhe veprimet konkrete të intelektualëve, patriotëve, atdhetarëve shqiptarë nuk reshtnin për asnjë çast, përkundrazi dëshmonin zhvillime të reja të guximshme e të pakthyeshme, si p.sh., krijimi i UÇK-së, ndërmarrja e aksioneve për çlirimin e zonave të caktuara, stërvitja e përgatitja e ushtarakëve dhe e komandantëve të ushtrisë në tokat shqiptare dhe prej elementëve shqiptarë etj. Bombardimet e NATO-s në Serbi përgatitën edhe fundin e luftimeve ndërmjet palëve.
Eksodi i ri i madh i shqiptarëve dhe projekti “Patkoi” i serbëve nuk përmbushën ëndrrën e kahershme të tyre për spastrimin dhe asimilimin e shqiptarëve, por u shoqëruan ngazhvillime të reja nga Perëndimi, BE-ja dhe SHBA-ja që dënonin politikën e Beogradit dhe dhunën bashkë me masakrat e tyre ndaj shqiptarëve. Vendosja e Kosovës nën administrimin e OKBsë tregonte përfundimisht fitoren e shqiptarëve. Shtypi i “Vatrës” do t’i pasqyronte sërish të gjitha këto zhvillime me hollësi e vërtetësi, duke shprehur, nga njëra anë, keqardhjen për vuajtjet dhe padrejtësitë që po i bëheshin popullit kosovar, por nga ana tjetër, duke u përpjekur të sensibilizojë institucionet shtetërore të SHBA-së për luftën e drejtë të tyre. E tillë do të vazhdojë trajtesa deri në momentet e shpalljes së Pavarësisë.
Numra të tërë e faqe të tëra të gazetës “Dielli” do t’u kushtohen zhvillimeve të tjera në Kosovë: përpjekjeve të shqiptarëve, të politikës vendase, si dhe të Federatës “Vatra”, të mbështetur fort nga administrata amerikane dhe një pjesë e vendeve europiane për përcaktimin e statusit final të shtetit të ri të Kosovës. Ky status, të paktën formalisht, u arrit të finalizohej në 17 shkurt të vitit 2008 me shpalljen e Kosovës Republikë e pavarur nga Kuvendi i saj. Ky akt u vlerësua i ligjshëm nga Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 22 korrik 2010, e cila përcaktoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën numër 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të qershorit të vitit 1999.
Si përfundim, theksoj se autori ka arritur të na sjellë një punim që dëshmon jo vetëm formimin e lartë të tij profesional, por edhe një studim me kontribut të vlefshëm në fushën e historisë së Kosovës, që detajon në mënyrë specifike në gjerësi e thellësi rrugëtimin e gjatë e të vështirë të popullit shqiptar të Kosovës, sfidat e ndeshura deri në arritjen e pavarësisë së merituar, por edhe përpjekjet e konsiderueshme të Federatës “Vatra” dhe gazetës “Dielli” me të gjitha mjetet e format që ato zotëronin, për të kontribuuar maksimalisht në këtë proces, gjatë të cilit kanë qenë bashkudhëtarë të përhershëm. /GD




