POSTIMET E FUNDIT

Biblioteka Kombëtare dhe Akademia e Shkencave organizuan ligjëratën “Meshari i (pa)njohur” nga Prof. Dr. Vehbi Miftari

Sot më 9 qershor 2026, në Akademinë Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, u mbajt një ligjëratë e veçantë nga prof. dr. Vehbi Miftari lidhur me historinë e zbulimit, studimit dhe ruajtjes së ekzemplarit të vetëm të njohur deri më sot të “Mesharit” të Gjon Buzukut dhe vlerat e tij për historinë e gjuhës shqipe, kulturën e shkruar dhe identitetin kombëtar.

Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pjesëmarrësit i përshëndeti zëvendëskryetari akad. Vasil Tole, i cili vlerësoi rëndësinë e veçantë të “Mesharit” në traditën e studimeve albanologjike dhe kontributin e vazhdueshëm të kërkimit shkencor për ndriçimin e aspekteve të reja të kësaj vepre themelore. Duke vlerësuar librin më të fundit të prof. dr. Vehbi Miftarit, “Meshari i (pa)njohur”, akad Tole shpjegoi se, sipas profesorëve të gjuhësisë, “Meshari” mbetet një nga veprat më të studiuara që nga themeluesit e gjuhësisë shqiptare e deri në ditët tona.

Megjithatë, akad. Tole nënvizoi se Akademia e Shkencave e çmon faktin që për vepra themelore si “Meshari” vazhdon të shkruhet dhe të studiohet. Gjithashtu, ai vlerësoi bashkëpunimin me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe paraqiti shkurtimisht disa prej projekteve kryesore shkencore në zhvillim në Akademinë e Shkencave, siç është “Enciklopedia shqiptare”, “Historia e shqiptarëve” dhe “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, i cili tashmë është online.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, znj. Majlinda Toçi

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, znj. Majlinda Toçi, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se “Meshari” i Gjon Buzukut përbën një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës dhe identitetit shqiptar, duke vijuar të mbetet objekt i rëndësishëm i kërkimit shkencor. Ajo vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë së shkruar, si dhe vuri në dukje se Biblioteka Apostolike e Vatikanit kishte përcjellë një mesazh përshëndetës me rastin e kësaj veprimtarie.

Fillimisht Prof. Dr. Vehbi Miftari falënderoi Akademinë e Shkencave për organizimin dhe mbështetjen e veprimtarisë, duke e cilësuar “Mesharin” si një monument kulture, që mbetet themel i identitetit gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve. Më tej ai u shpreh se për të është një nder i veçantë dhe një kënaqësi e madhe që të kontribuojë qoftë edhe në mënyrë modeste, në avancimin e studimeve albanologjike, veçanërisht të atyre që lidhen me këtë vepër monumentale të gjuhës shqipe.

Prof. Dr. Vehbi Miftari

Në ligjëratën e tij, prof. dr. Vehbi Miftari prezantoi rezultatet e studimit të parë tipografik mbi ekzemplarin unik të “Mesharit” të Gjon Buzukut, të ruajtur në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, realizuar gjatë viteve 2024–2026, duke përcaktuar shkronjat, të cilat dëshmojnë përdorimin e një alfabeti origjinal dhe pajisjeve grafike të kohës, nëpërmjet të cilave hidhet dritë më e qartë mbi bazat tipografike të librit të parë shqip të botuar në vitin 1555; si dhe teknikën e shtypshkrimit, ku analiza më të hollësishme ofrojnë detaje shkencore mbi kaligrafinë e përshtatur për shtyp, llojin e shkronjave (tipat latine gjysmë-gotike) dhe mënyrën e kompozimit të faqeve nga punishtet e shekullit të 16-të.

Me rastin e kësaj veprimtarie, Biblioteka Kombëtare ekspozoi për publikun edhe kopjen e “Mesharit”, dhuratë e Papa Françeskut I, me synimin që t’u ofrojë të pranishmëve mundësinë për t’u njohur nga afër me këtë dëshmi të rrallë të kulturës së shkruar shqiptare, transmeton ASHSH, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB