Universiteti i Tetovës vazhdon të krijojë dhe mbështesë mundësi të reja për studentët e tij në fushën e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit akademik ndërkombëtar, duke kontribuuar në zhvillimin e tyre profesional dhe avancimin e mëtejshëm akademik.
Në kuadër të këtyre mundësive, Vesa Fetai, studente e ciklit të dytë në programin studimor Matematikë në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore të Universitetit të Tetovës, është përzgjedhur për të marrë pjesë në programin ndërkombëtar kërkimor “Dive Into Research @Dresden” i cili zhvillohet në Dresden të Gjermanisë.
Programi me tematikën “Combinatorics in Algebraic Statistics and Game Theory”, u mundëson pjesëmarrësve të angazhohen në tema dhe probleme të kërkimit bashkëkohor, të punojnë nën udhëheqjen e mentorëve dhe studiuesve me përvojë, si dhe të shkëmbejnë njohuri dhe ide me studentë e studiues nga komuniteti akademik ndërkombëtar.
Për Vesën, pjesëmarrja në këtë program është hap i rëndësishëm në rrugëtimin e saj akademik dhe kërkimor, që i ofron mundësi për zgjerimin e njohurive, pasurimin e përvojës shkencore, zhvillimin e bashkëpunimeve të reja dhe krijimin e kontakteve me komunitetin akademik ndërkombëtar.
Pjesëmarrja e studentëve të Universitetit të Tetovës në programe të tilla ndërkombëtare dëshmon rëndësinë që ka ndërthurja e njohurive të fituara gjatë studimeve me përvojën praktike dhe kërkimore në mjedise akademike ndërkombëtare. Këto përvoja kontribuojnë në formimin e një brezi të ri studiuesish dhe në forcimin e mëtejshëm të dimensionit ndërkombëtar të arsimit dhe kërkimit shkencor./UT










