Sot, më 11 nëntor 2026, Fakulteti Juridik i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë shënoi një moment historik në zhvillimin e tij institucional, me miratimin e Planit Strategjik 2027 – 2030 dhe Planit të Veprimit, si pjesë përbërëse e tij. Pas një periudhe të gjatë pune, analizash, konsultimesh dhe angazhimi të grupeve punuese, Fakulteti Juridik tashmë ka përcaktuar një drejtim të qartë zhvillimor për katër vitet e ardhshme. Me këtë rast, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Petrit M. Nimani, planin e miratuar ua dorëzoi zyrtarisht Rektorit dhe organeve drejtuese të Universitetit “Haxhi Zeka”. Po ashtu, gjatë ditës, ky dokument strategjik iu prezantua edhe studentëve, duke i bërë ata pjesë të informimit dhe të vizionit për zhvillimin e ardhshëm të Fakultetit. Plani Strategjik përcakton misionin, vizionin, objektivat dhe prioritetet konkrete të Fakultetit, duke përfshirë avancimin e cilësisë akademike, studentin si partner, kërkimin shkencor, administratën dhe qeverisjen moderne, sigurinë, digjitalizimin, menaxhimin digjital, ndërkombëtarizimin dhe bashkëpunimin me institucionet publike, private dhe ato të sistemit të drejtësisë. Një rëndësi e veçantë i kushtohet Planit të Veprimit, i cili përcakton aktivitetet konkrete, bartësit e përgjegjësive, afatet kohore dhe treguesit e performancës, duke mundësuar matjen dhe monitorimin e zbatimit të objektivave strategjike.

Ky dokument shënon një hap të rëndësishëm drejt ndryshimit të mënyrës së organizimit, menaxhimit dhe zhvillimit të Fakultetit Juridik, duke vendosur themele për një model bashkëkohor të qeverisjes akademike dhe institucionale. Përmes këtij vizioni, Fakulteti synon të avancojë jo vetëm edukimin juridik, por edhe fushat e administratës, qeverisjes, sigurisë dhe transformimit digjital, me ambicien që kjo qasje të shërbejë si model zhvillimi për fakultetet juridike në Republikën e Kosovës.
Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Petrit M. Nimani, me këtë rast theksoi:
“Ne po ndërtojmë një të ardhme mbi objektiva të qarta, përgjegjësi institucionale dhe rezultate të matshme. Ky plan nuk është vetëm një dokument për t’u ruajtur në arkiv, por një zotim për ndryshim, zhvillim dhe transformim. Fakulteti Juridik duhet të jetë një institucion ku studenti është partner, dija shndërrohet në kompetencë profesionale dhe arsimi i përgjigjet sfidave të reja në drejtësi, administratë, qeverisje, siguri dhe teknologji digjitale.”
Me miratimin dhe prezantimin e këtij plani, Fakulteti Juridik konfirmon orientimin e tij drejt zhvillimit të qëndrueshëm, modernizimit institucional, inovacionit, ndërkombëtarizimit dhe avancimit të cilësisë akademike. Sot nuk u miratua vetëm një plan strategjik. Sot u përcaktua drejtimi i së ardhmes së Fakultetit Juridik!

LEXONI PLANIN STRATEGJIK 2027–2030
Për të gjithë të interesuarit, stafin akademik e administrativ, studentët, institucionet dhe publikun, dokumenti i plotë është i qasshëm në vegzën zyrtare:
https://unhz.eu/…/PLANI-STRATEGJIK-2027-2030-KESHILLI-I…
Urime të gjithë stafit akademik dhe administrativ, studentëve dhe të gjithë kontribuuesve që ishin pjesë e këtij procesi të rëndësishëm. Suksese në realizimin e objektivave dhe vizionit tonë të përbashkët!

FAKULTETI JURIDIK – CILËSI, PROFESIONALIZËM DHE VIZION PËR TË ARDHMEN! /helveticALforum.ch
#FakultetiJuridik#UniversitetiHaxhiZeka#MomentHistorik#PlaniStrategjik#PlaniIVeprimit#Vizioni2030#StudentiPartner#Administratë#Qeverisje#Siguri#Digjitalizim#MenaxhimDigjital#CilësiAkademike#Ndërkombëtarizim#TransformimInstitucional










