Nga Arian Galdini
Arrestimi i Ergys Agasit nuk më intereson si trofe i një dite dhe as si fotografia e radhës me të cilën politika ushqen zhurmën e vetë. Për atë që rëndon penalisht mbi të do të flasin provat dhe do të vendosë drejtësia.
Pyetja ime është tjetër, është politike dhe i drejtohet njeriut që prej afro trembëdhjetë vitesh drejton qeverinë shqiptare, çfarë shteti ke ndërtuar, zoti Rama?
AKSHI nuk është një zyrë e humbur në periferi të administratës.
Është institucion në varësi të Kryeministrit dhe një nga qendrat ku është mbështetur Shqipëria digjitale që Edi Rama e ka paraqitur me krenari si shenjë të modernizimit të vendit, të transformimit të shërbimeve dhe të aftësisë së qeverisë së tij.
Pikërisht për këtë, një hetim që prek prokurimet e një institucioni të tillë dhe ngre dyshime për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion aktiv të funksionarëve publikë, dhunë dhe veprimtari të strukturuar kriminale nuk mund të trajtohet politikisht si historia private e disa personave që drejtësia po heton.
Qytetari i ka dorëzuar kësaj infrastrukture të dhënat e veta, sipërmarrësi duhet të ketë besuar se oferta e tij hyn në një garë të ndershme, ndërsa taksapaguesi ka financuar sistemet dhe kontratat me bindjen se shteti blen shërbimin më të mirë për publikun, jo afërsinë më të vlefshme me pushtetin.
Kur rreth kësaj hapësire shtetërore lind një dosje e kësaj peshe, Kryeministri nuk mund të qëndrojë në tribunën e suksesit dhe ta shohë krizën sikur i përket një administrate të huaj.
Nga 17 dhjetori 2025, kur masa e arrestit iu dërgua Policisë së Shtetit për ekzekutim, deri më 26 gusht 2026 kaluan më shumë se tetë muaj.
Kjo periudhë kërkon një shpjegim shtetëror të plotë: çfarë u bë për ekzekutimin e vendimit, çfarë nuk funksionoi dhe si ndodhi që një masë e tillë mbeti e pazbatuar për kaq gjatë.
Një qeveri që kërkon disiplinë nga qytetari nuk mund t’i përgjigjet vetes me mjegull kur pyetja prek disiplinën e saj.
Por çështja shkon shumë përtej këtyre muajve, sepse Edi Rama e ka personalizuar politikisht qeverisjen shqiptare në një shkallë që nuk lejon dy standarde autorësie.
Digjitalizimi, investimet, reformat administrative dhe çdo statistikë e favorshme janë vendosur për vite brenda rrëfimit të tij personal të transformimit të Shqipërisë.
Kjo zgjedhje ka një çmim demokratik, ai që kërkon autorësinë kur shteti funksionon nuk mund ta shpërndajë përgjegjësinë poshtë hierarkisë sapo sistemi hyn në krizë.
Nuk mund të kërkosh emrin tënd mbi atë që funksionon dhe anonimatin mbi atë që dështon.
Pas afro trembëdhjetë vitesh në krye të qeverisë, mosdija nuk është më një strehë politike.
Një Kryeministër mban përgjegjësi edhe për aftësinë e sistemit të tij për të ditur, kontrolluar, parandaluar dhe reaguar, nëse informacioni vendimtar humbet rrugës, nëse mbikëqyrja nuk sheh atë që duhet të shohë dhe nëse institucioni nuk mbron dot veten nga depërtimi i interesit privat, atëherë dështimi nuk është jashtë qeverisjes, është një pjesë e cilësisë së saj.
Për një vend që kërkon ekonomi të lirë, kjo dosje prek diçka edhe më të thellë se korrupsioni i mundshëm në një kontratë publike.
Kur favori politik bëhet më i vlefshëm se oferta, tregu shpronësohet politikisht.
Sipërmarrësi mund të vazhdojë ta ketë kompaninë, kapitalin, njerëzit dhe dijen e vetë, por i merret një pjesë themelore e lirisë ekonomike, e drejta që puna dhe aftësia e tij të vlejnë në garë pa pasur nevojë për miratimin e atij që mban pushtetin.
Një ekonomi e tillë mund të ketë kompani private dhe megjithatë të mos ketë treg të lirë në kuptimin e tij moral.
Kur afërsia fillon të peshojë më shumë se vlera, prona mbetet në letra, por mundësia konfiskohet, investimi humbet sigurinë e rregullit, konkurrenca bëhet vartëse e marrëdhënies dhe taksapaguesi përfundon duke financuar një sistem ku avantazhi politik hyn në garë përkrah kapitalit privat.
Ky është deformim thellësisht antikapitalist, sado fjalor biznesi të përdorë qeveria që e toleron.
Edhe krenaria mbi shtetin digjital duhet parë tani nga ana tjetër e ekranit.
Administrata moderne di gjithnjë e më shumë për qytetarin, identitetin, pronën, detyrimet, aktivitetin ekonomik, marrëdhënien me shërbimet publike.
Sa më i lexueshëm bëhet njeriu për shtetin, aq më i kontrollueshëm duhet të bëhet shteti prej njeriut, përndryshe teknologjia nuk po modernizon Republikën, por vetëm po rrit fuqinë e administratës mbi qytetarin pa rritur në të njëjtën masë llogaridhënien e saj.
Kjo përmbysje më shqetëson prej kohësh te qeverisja Rama.
Shteti është zgjeruar atje ku duhet të ketë përmbajtje ndaj jetës, pronës, familjes, punës dhe zgjedhjeve të ligjshme të individit, ndërsa në vende ku askush tjetër nuk mund ta zëvendësojë, sundimi i ligjit, ndershmëria e kontratës, konkurrenca, mbrojtja e parasë publike, kontrolli mbi administratën, qytetari ka parë tepër shpesh se lidhja mund të bëhet më e fuqishme se norma.
Për këtë arsye kërkoj largimin politik të Edi Ramës.
Nuk më duhet një dënim penal ndaj Kryeministrit për të gjykuar afro trembëdhjetë vite qeverisje.
Demokracia nuk ia delegon prokurorisë vendimin se kur një qeverisje e ka shteruar mandatin e saj moral, atë vendim e merr qytetari duke gjykuar shtetin që ka marrë, sigurinë që gëzon prona e tij, ndershmërinë e garës, cilësinë e administratës dhe marrëdhënien që pushteti ka ndërtuar me ligjin.
Por largimi i Ramës do të ishte një rotacion pa vlerë nëse pas tij ndryshonte vetëm njeriu që jep favorin, numri ku telefonohet, dera ku kërkohet ndërhyrja ose klienti politik që përfiton.
Rinisja nuk ka kuptim si trashëgimtare e këtij mekanizmi me emra të rinj, ajo ka kuptim vetëm nëse ia heq privilegjit aftësinë për të përdorur shtetin si kapital privat.
Arrestimi i një njeriu mund të jetë ngjarja që hap këtë debat, por gjykimi që na takon si qytetarë është shumë më i gjerë.
Në vitin e trembëdhjetë të pushtetit të tij, Edi Rama nuk mund të vazhdojë të mbledhë autorësinë e Shqipërisë që funksionon dhe të shpërndajë përgjegjësinë e Shqipërisë që dështon.
Kush ka kërkuar autorësinë politike të një epoke, duhet të mbajë edhe llogarinë e saj.










