BallinaArsimiStudentët e Fakultetit të Drejtësisë të UEJL-së marrin pjesë në një përvojë...

Studentët e Fakultetit të Drejtësisë të UEJL-së marrin pjesë në një përvojë akademike ndërkombëtare në Bolonjë të Italisë

-

Bolonjë, Itali – Studentët e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Mevlan Ademi dhe Erblina Kamenica, kanë përfaqësuar universitetin në një aktivitet të rëndësishëm akademik ndërkombëtar, duke marrë pjesë në EULR 2026 Autumn Workshop, në kuadër të European Union and Legal Reform School, të organizuar në Bolonjë të Italisë. Mevlan Ademi, student i studimeve master në drejtimin Juridiko-Civil, dhe Erblina Kamenica, studente e Fakultetit të Drejtësisë, gjatë kësaj përvoje patën mundësinë të jenë pjesë e një programi akademik që mblodhi profesorë, ekspertë dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme, me qëllim diskutimin e zhvillimeve aktuale në fushën e së drejtës, politikave evropiane dhe reformave institucionale.

Programi i shkollës vjeshtore përfshiu ligjërata, trajnime dhe diskutime profesionale mbi tema me rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndër çështjet kryesore të trajtuara ishin ndryshimet kushtetuese, sundimi i ligjit, procesi i integrimit dhe zgjerimit të Bashkimit Evropian, reformat demokratike, si dhe sfidat politike dhe juridike me të cilat përballen vendet e rajonit në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Pjesëmarrja në këtë aktivitet u mundësoi studentëve të zgjerojnë njohuritë e tyre profesionale, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të shkëmbejnë ide e përvoja me akademikë dhe ekspertë ndërkombëtarë. Një rëndësi të veçantë pati edhe krijimi i kontakteve të reja akademike dhe njohja me perspektiva të ndryshme mbi zhvillimet juridike dhe politike në Evropë.

Kjo përvojë përbën një tjetër dëshmi të rëndësisë së ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë dhe të angazhimit të studentëve në aktivitete që tejkalojnë kufijtë e auditorëve universitarë. Ndërthurja e njohurive teorike me përvojat praktike dhe akademike ndërkombëtare luan një rol të rëndësishëm në përgatitjen e profesionistëve të rinj, të aftë për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore të sistemit juridik dhe shoqërisë.

Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Evropës Juglindore vazhdon të mbështesë mundësitë për zhvillim akademik dhe profesional të studentëve, duke nxitur pjesëmarrjen e tyre në programe dhe iniciativa ndërkombëtare.

Pjesëmarrja e Mevlan Ademit dhe Erblina Kamenicës në këtë aktivitet në Bolonjë përfaqëson një arritje të vlefshme për ta dhe një kontribut pozitiv në përfaqësimin ndërkombëtar të universitetit. Urime studentëve për këtë përvojë akademike dhe suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tyre profesional!, njofton UEJL, përcjell helveticALforum.ch ( Përgatiti D. Hebibi)

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

NË KËRKIM TË KUJTESËS EUROPIANE

0
Jusuf Buxhovi: “VITETE E GJERMANISË”, kujtime, botoi Shtëpia Botuese "FAIK KONTCA", Prishtinë, 2024, faqe 504. ISBN 978-9951-31-023-9 Nga Shefqet DIBRANI Në rrugët e gjata të kujtesës,...