Jusuf Buxhovi: “VITETE E GJERMANISË”, kujtime, botoi Shtëpia Botuese “FAIK KONTCA”, Prishtinë, 2024, faqe 504. ISBN 978-9951-31-023-9

Nga Shefqet DIBRANI
Në rrugët e gjata të kujtesës, pak libra arrijnë të bashkojnë dritën e përvojës personale me përmasën historike të një kombi. Libri “Vitet e Gjermanisë” i Jusuf Buxhovit është pikërisht një vepër e tillë, një rrëfim i përimtuar dhe mjaftë i shteruar njëkohësisht, ku kujtimi dhe analiza ndërthuren si rrënjë që mbajnë pemën e historisë së Kosovës.
Ky libër nuk është vetëm një pasqyrë retrospektive mbi ato zhvillime, të cilat në formë kujtimi i rrëfen Jusuf Buxhovi, i cili ishte korrespondent i gazetës “Rilindja” në Gjermani gjatë viteve 1976-1980 dhe 1994-2008. Kjo vepër është një udhëtim nëpër kohë ku Europa dhe Ballkani do të bashkohen në një skenë të ndritshme, edhe pse e tensionuar nga vlimet e brendshme të cilat përfunduan me luftëra dhe pasoja të dhimbshme. Përmes kujtesës së autorit, lexuesi ndjen jo vetëm kohën, por edhe frymën e asaj kohe, tensionet dhe aspiratat e popullit, i cili gati tre dekada më vonë e ka shpallur pavarësinë.
Kujtimet si rrëfim personal
Pa dyshim, këto kujtime të Jusuf Buxhovit te libri “Vitet e Gjermanisë”, kanë prekur kufirin midis letërsisë subjektive dhe shkrimit historik objektiv. Në këtë rast, kur shkrimtari dhe historiani (në këtë rast Jusuf Buxhovi), ka shkruar librin voluminoz “Vitet e Gjermanisë”, me shumë pak referenca apo burime të tjetëra historiografike, si një dëshmi për rrëfimet e tij, shohim se këto “Kujtime”, janë një rrëfim personal, mjaftë subjektiv dhe janë kundruar si përvojë individuale rreth këtyre ngjarjeve, duke mos synuar t’i ngriti në dëshmi faktike të verifikuara. Në anën tjetër ky libër dëshmon përvojën e autorit, për perceptim dhe interpretim sa historik po aq edhe letrar, fusha të cilat i zotëron në mënyrë mjaftë të përsosur. Prandaj libri “Vitet e Gjermanisë”, mund të lexohet edhe si një roman historiografik.
Edhe vet Jusuf Buxhovi është i vetëdijshëm se “Historiografia kërkon burime të verifikueshme, referenca dokumentare dhe objektivitet metodologjik”, ndërsa këto “Kujtime”, nuk i nënshtrohen këtij detyrimi. Prandaj mbeten rrëfime personale, të cilat shpesh janë ndërtuar mbi emocione, kujtesë selektive dhe me një perspektivë subjektive, krejt ky mozaik është artikuluar kaq mirë, falë përvojës dhe aftësisë së autorit.
Pra libri “Vitet e Gjermanisë”, nuk synon të kategorizohet në “libër historik”, por më shumë ngjason si një: Autobiografi letrare, ose edhe Memuare subjektive personale, ku “e vërteta” është psikologjike dhe përjetuese, jo domosdoshmërisht faktike. Andaj këto rrëfime, si zhanër “Kujtime”, nënkuptohet se janë përjetime personale të së shkuarës, e jo dokumentimi i tyre shkencor. Pra, edhe këto rrëfime te libri “Vitet e Gjermanisë”, janë interpretim personal me narrativë jo historike në kuptimin akademik të këtij nocioni, por falë afinitetit të autorit, ato janë strukturuar artistikisht si rrëfim letrar, mirë i artikuluar.
Kjo kujtesë, tregon aftësinë e autorit për t’i mbajtur mend gjithë ato zhvillime, nga të cilat ka riprodhuar përjetime, parë nga këndvështrimi i viteve përkatëse kryesisht në cilësinë e gazetarit dhe raportuesit aktiv nga Gjermania. Libri është edhe një dëshmi tjetër që tregon për kujtesë aktive që posedon autori i librit. Dhe kujtimet që i ka parë ose i ka dëgjuar kanë formësuar këtë afinitet logjik, prandaj “Vitet e Gjermanisë”, janë rrëfime interesante, dhe shprehin tërësinë e kujtimeve të cilat kanë ruajtur të vërtetën e ndodhur, për ngjarje e bëma të shumta. Pra, libri “Vitet e Gjermanisë”, mbetet si një kujtesë autentike e njeriut që ka qenë pjesë e proceseve dhe zhvillimeve historike.
Shkrimtari dëshmitar dhe pjesë e historisë
Nga lindja e pluralizmit politik në Kosovë, me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor 1989, e deri te shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Jusuf Buxhovi ndjek çdo kthesë historike me syrin e gazetarit, mendimin e historianit dhe ndjeshmërinë e intelektualit. Ai është jo vetëm dëshmitar, por edhe aktor i heshtur në teatrin e ngjarjeve, duke i dhënë lexuesit një pasqyrë të gjallë të proceseve politike, diplomatike dhe njerëzore që ndryshuan historinë e Kosovës.
Për shembull, ai rrëfen me hollësi për “Emigracionin politik shqiptarë”, në Gjermani, fillimet e organizimit të tyre nëpër klube dhe organizata, kryesisht me orientim te majt marksit-leninist, dhe për rolin e diasporës shqiptare në vitet e nëntdhjeta dhe orientimi i tyre kah Europa dhe Amerika, deri te fundi i fushatës ajrore nga NATO, dhe problemet e shumta në vitet e para të çlirimit. Ajo që bien ë sy, me më shumë kompetencë, është pjesa për zhvillimet e brendshme në LDK dhe për sfidat me të cilat është përballur dr. Ibrahim Rugova edhe në marrëdhëniet me përfaqësuesit nderkombëtar, me theks ata nga SHBA-ja dhe Gjermania, duke shpjeguar edhe ndikimin e tyre të drejtpërdrejt në vendimmarrje politike në Kosovë. Autori duke jetuar gjatë në Gjermani, jo vetëm në këtë libër por edhe herave të tjera ka folur për “Dosjen gjermane” e cila ka ndjekur edhe konfliktet e brendshme në LDK, por ishte vet dr. Ibrahim Rugova, ai që diti ta ruaj integritetin e përpjekjeve demokratike duke ruajtur edhe vizionin e tij për pavarësinë e Kosovës.
Intervistat dhe takime personale me shumë personalitete dhe president si kancelarët Willy Brandt e Helmut Schmidt, Helmut Kohl, Gerhard Schrüder, Angela Merkel, Socialdemokrati Rudolf Scharping dhe Franz Josef Strauss janë pasqyruar me saktësi të shumta, por ajo që mbetet mbreslënëse janë takimet me intelektualët Heinrich Böll dhe me Martin Camajn, Oda Buholz, Wielfried Fidler, e Günter Grass, (ky i fundit ka kërkuar publikisht ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë), nuk janë thjesht vetëm rrëfime personale, por ato janë fragmente të një realiteti të ndodhur, realitet ky që shpjegohet përmes kujtimeve të Jusuf Buxhovit, si një statusquo, “midis një populli në kërkim të identitetit dhe botës që e vështronte atë me kujdes dhe rezervë të shtuar”.
Portreti i dr. Ibrahim Rugovës ose dimenzioni human dhe politik i tij
Siç e theksova më lartë, një pjesë e madhe, dhe ajo më e rëndësishmja e veprës i kushtohet figurës së dr. Ibrahim Rugovës, e përshkruar me hollësi nga autori, të cilin e paraqet jo vetëm si lider politik, por edhe si intelektual që mbajti mbi supet e tija barrën e një kombi të tërë. Qoftë përmes bisedave në Bon, apo letrave personale, (2000-2004), lexuesi njihet më mire me portretin e një njeriu të papërulur nga shantazhet e presionet, i qëndrueshëm dhe tejet i mençur, i cili është përballur me presione, shantazhe dhe kurthe politike, por falë gjenialitetit që kishte, ai ruajti dinjitetin e paqes e të dialogut edhe atëherë kur “ishte peng i Millosheviçit”, dhe për shkak të të gjitha atyre rrethanave dr. Ibrahim Rugova, u shndërruar simbol i qëndrueshmërisë morale, edhe pse që nga atëherë ai është përballur me kurthe të shumta, por mbeti udhëheqës i qartë dhe vizionar.
Vepra “Vitet e Gjermanisë”, nga Jusuf Buxhovi, e paraqet historinë, herë si kronikë ngjarjesh, e here të tjera si përjetim i brendshëm i përpjekjeve të një kombi për vetëdije, drejtësi dhe njohje ndërkombëtare.
Gjermania dhe Perëndimi si një arenë e politikës dhe diplomacisë
Një dimension mjaftë i kompletuar, brenda këtij libri është interpretimi i rolit të Gjermanisë dhe i Perëndimit në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Jusuf Buxhovi ndjek me ndjeshmëri, mbështetjen, heshtjen dhe kalkulimet strategjike të vendeve të fuqishme, duke i vendosur ato brenda një narrative, ku politika ndërkombëtare bëhet pjesë e historisë personale të kombit. Ai nëpër këto kujtime nuk heziton të pranoj se politika e Gjermanisë, së bashku me Ameriken, janë ndikues të drejtpërdrejt të pluralizmi politik në Kosovë, ku intelektualët e kohës, si dr. Ibrahim Rugova, akademik Fehmi Agani dhe vet z. Buxhovi dhe të tjerë, themeluan LDK-në më 23 dhjetor 1989. Këto kujtime, shpeshherë si qasje kritike dhe ngjarje të përjetuara, e bëjnë librin jo vetëm kronikë, por shfaqin reflektim mbi ato raporte, në mes Perëndimit dhe Ballkanit, pastaj mbi moralin dhe politikën, mbi humbjet dhe shpresat që përcaktuan rrjedhën e historisë.
Këto kujtime, janë të veçanta edhe për stilin dhe mënyrën e rrëfimit, madje shpeshherë dokumenti historik është kundruar si reflektim personal, ku janë bashkuar në një prozë dokumentare mjaftë të rrjedhshme. Fjalitë e qarta me kujtime të shumta diplomatike, kanë një qartësi të ndërtuar mbi pasazhe edhe historiografike, duke krijuar hapësirë për emocione përjetuese, si evokim personal e shpirtëror kundruar nga retrospektiva e atyre viteve.
Rënia e Murit të Berlinit nuk shihet vetëm si ngjarje e madhe historike. Për Jusuf Buxhovin, ky akt paralajmëronte ndryshime që me kalimin e kohës u zhvendosën në Ballkan, madje disa sish përfunduan me luftëra që sollën tragjedi. Kjo mënyrë e rrëfimit e bën librin “Vitet e Gjermanisë” tërheqës, jo vetëm për këndvështrimin historik, por edhe për vlerën estetike dhe reflektimin mbi rolin e individit dhe të një kombit në historinë e vet të madhe.
Historia si kujtesë dhe arti i rrëfimit
Në përfundim të këtij vlerësimi, mund të them se libri “Vitet e Gjermanisë” nuk është vetëm një vepër thjesht kujtimi, por një vepër ku kujtesa analitike dhe mbamendja kaq e kthjellët bashkohen në një rrëfim të gjallë dhe reflektiv. Kjo vepër, dëshmon se historia e Kosovës nuk është thjesht përshkrim ngjarjesh me konflikte, por narrativë e ndërthurur me mendimin, ndërgjegjen dhe shpirtin e njerëzve që e bënë atë.
Jusuf Buxhovi, përmes syrit të tij të kujdesshëm dhe stilit të pasur figurativ, i dhuroi lexuesit një përvojë ku dokumenti bëhet analizë, përjetimi bëhet reflektim, kurse kujtesa bëhet një akt estetik dhe moral. Ky libër flet për atë se si një komb i vogël mund të gjejë vendin e vet në histori, vetëm përmes mendimit të drejtë, fjalës së matur dhe guximit paqësor.
Jusuf Buxhovi dhe libri i tij, na kujton se rruga drejt lirisë dhe njohjes ndërkombëtare nuk ishte e shpejtë, por e ndërtuar me kujdes dhe durim nga ata që besuan se fjala, emancipimi intelektual dhe veprimi i drejtë janë arma më e fuqishme për një popull që të fitoj lirinë dhe përmes saj mund të përdorë dijen e vet për të ndërtuar paqën dhe fatin e tij në shoqërinë Europiane.
Autorit i dëshirojë shëndet, jetë të gjatë dhe suksese të tjera!
* (Vlerësim kritik i lexuar në veprimtarinë e tretë të edicionit të 16-të të Mnaifestimit “VJESHTA LETRARE E GJILANIT 2025”, mbajtur në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, në të cilin është vlerësuar “PORTRETI LETRAR I JUSUF BUXHOVIT”, njëri nga shkrimtarët më të shquar në Kosovë. Gjilan, 1 nëntor 2025).










