BallinaKulturaBen Blushi sjell “Historitë e Çmendura të Tiranës”, një udhëtim 400-vjeçar në...

Ben Blushi sjell “Historitë e Çmendura të Tiranës”, një udhëtim 400-vjeçar në historinë e kryeqytetit

-

Nga viti 1600 deri në vitin 2000, shkrimtari rrëfen Tiranën përmes 38 kapitujve dhe rreth 100 personazheve realë, duke ndërthurur historinë, kujtesën dhe ironinë.

Shkrimtari Ben Blushi ka promovuar librin e tij më të ri, “Historitë e Çmendura të Tiranës”, një vepër që sjell një këndvështrim ndryshe mbi historinë e kryeqytetit shqiptar, duke përshkuar katër shekuj zhvillimesh, ngjarjesh dhe personazhesh, nga viti 1600 deri në vitin 2000.

I cilësuar nga vetë autori si një “libër i çmendur”, botimi synon të rindërtojë kujtesën historike të Tiranës përmes historive dhe figurave të veçanta që kanë lënë gjurmë në jetën e qytetit. Blushi ka zgjedhur të sjellë një rrëfim ku faktet historike ndërthuren me ironinë dhe elementet letrare, duke krijuar një panoramë të pazakontë të së kaluarës së kryeqytetit.

Gjatë promovimit, autori shpjegoi edhe arsyen e titullit të veçantë, duke theksuar se historia e Tiranës, që nga themelimi e deri në fund të shekullit XX, është karakterizuar nga peripeci dhe personazhe të jashtëzakonshme.

Një prej veçorive kryesore të librit është fakti se personazhet nuk janë të sajuar, por njerëz që kanë ekzistuar realisht. Sipas Blushit, sfida krijuese ka qenë pikërisht mënyra se si këto figura historike të vendoseshin në kontekstin e duhur dhe si të rindërtohej jeta e tyre përmes një rrëfimi letrar.

“Ky pothuajse nuk ka asnjë personazh të sajuar. Janë të gjithë njerëz që kanë ekzistuar. Sikleti im ka qenë se si ata t’i vësh në dekorin e duhur dhe të sajosh jetën pa i njohur”, u shpreh shkrimtari.

Libri përmban 38 kapituj dhe rreth 100 personazhe kryesore, të përzgjedhur mbi një kriter të veçantë: ata ose janë të vdekur, ose të çmendur, ose të dyja bashkë. Blushi tregoi gjithashtu se fillimisht kishte menduar të përfshinte 40 kapituj, por gjatë procesit të punës vendosi të hiqte një prej tyre, për shkak të ndjeshmërisë së historisë dhe personazhit që trajtonte.

Autori e cilësoi këtë botim si një nga librat më të dashur për të, pikërisht për shkak të natyrës së tij të ndryshme nga veprat e mëparshme. Sipas tij, ndërthurja e personazheve realë me trillimin letrar dhe ironinë i ka dhënë një kënaqësi të veçantë gjatë shkrimit.

Rrëfimi nis me themelimin e Tiranës në vitin 1614, një moment që konsiderohet si pikënisja zyrtare e historisë së kryeqytetit. Blushi shpjegoi se, megjithëse Tirana ka ekzistuar edhe më herët, mungesa e të dhënave dhe e figurave të identifikueshme historike për periudhën para shekullit XVII e ka bërë të vështirë ndërtimin e një rrëfimi të mbështetur në personazhe konkrete.

Përmes figurave historike dhe zhvillimeve ndër shekuj, libri prek edhe transformimin urban të Tiranës, duke sjellë në vëmendje elemente që kanë shënuar identitetin e saj, si bulevardet, sheshet, Xhamia, Sahati dhe ndërtesat simbolike të periudhave të ndryshme.

“Historitë e Çmendura të Tiranës” vjen kështu si një ndërthurje mes historisë dhe letërsisë, ku e kaluara e kryeqytetit nuk rrëfehet vetëm përmes ngjarjeve të njohura, por edhe përmes jetëve të njerëzve që e kanë ndërtuar dhe ndryshuar atë.

Me këtë botim, Ben Blushi fton lexuesit të zbulojnë një Tiranë ndryshe, përmes historive të pazakonta, personazheve realë dhe një doze të veçantë ironie, në një udhëtim katër shekujsh në kujtesën e qytetit, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Dalina Haxhiu fiton “Okarinën e Artë për Fëmijë” në edicionin e...

0
Dalina Haxhiu është shpallur fituese e edicionit të parë të “Akordeve për Fëmijë”, pjesë e Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”. Me...