Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që institucionet e vendit të përqendrojnë vëmendjen në hartimin e një strategjie që do t’u shërbejë ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin gjyqësor në shkallën e Apelit në Hagë. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës tashmë ka formuar grupin punues për hartimin e kësaj strategjie. Ajo ka theksuar se ky proces duhet të zhvillohet me seriozitet, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë nga institucionet përgjegjëse. Sipas saj, puna institucionale duhet të fokusohet në hartimin e një strategjie sa më efektive, e cila do të mund t’u shërbejë ish-krerëve të UÇK-së në fazën e ardhshme të procesit gjyqësor.
“Kam kërkuar që e gjithë vëmendja dhe përqendrimi ynë të zhvendoset pikërisht te kjo strategji, që do të duhej të përpilohej në atë mënyrë që t’u shërbejë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e Apelit”, ka deklaruar Haxhiu. Ndërkaq, duke folur për ligjin e kthyer në Kuvend, kryetarja e Kuvendit ka njoftuar se çështja tashmë i është përcjellë Komisionit për Legjislacion, i cili ka afat prej katër javësh për ta shqyrtuar. Haxhiu ka bërë të ditur se do të takohet me kryetarin e këtij komisioni për të diskutuar hapat e mëtejshëm proceduralë, pasi, sipas saj, ekzistojnë dy interpretime të ndryshme juridike lidhur me mundësinë e ndryshimit të ligjit pas kthimit të tij në lexim të tretë.
Njëri interpretim mbështet qëndrimin se Kuvendi mund vetëm ta votojë ose ta refuzojë ligjin, pa bërë ndryshime të tjera, ndërsa interpretimi tjetër parasheh mundësinë e ndërhyrjeve në përmbajtjen e tij.
Për këtë çështje, Haxhiu ka theksuar se vendimmarrja dhe trajtimi i mëtejshëm i takojnë Komisionit për Legjislacion, ndërsa qëndrimin e saj të mëhershëm e ka lidhur me një vendim të Gjykatës Kushtetuese në rastin e ish-presidentes Atifete Jahjaga.
Tashmë pritet që Komisioni për Legjislacion të shqyrtojë interpretimet juridike dhe të përcaktojë procedurën që do të ndiqet në Kuvend lidhur me ligjin e kthyer, transmeton rtk.










