BallinaKulturaDalina Haxhiu fiton “Okarinën e Artë për Fëmijë” në edicionin e parë...

Dalina Haxhiu fiton “Okarinën e Artë për Fëmijë” në edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”

-

Dalina Haxhiu është shpallur fituese e edicionit të parë të “Akordeve për Fëmijë”, pjesë e Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”.

Me interpretimin e këngës “Ëndrra ime s’fle”, ajo rrëmbeu çmimin e parë, “Okarinën e Artë për Fëmijë”, duke u bërë protagonistja e mbrëmjes kushtuar talenteve të reja muzikore. Mbrëmja e tretë e festivalit, e mbajtur në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, solli në skenë 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan drejtpërdrejt këngët e tyre, të shoqëruar nga orkestra. Atmosfera festive u karakterizua nga emocionet, talenti dhe energjia e fëmijëve, të cilët dëshmuan përkushtimin dhe dashurinë e tyre për muzikën. Çmimin e parë fitueses ia dorëzoi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu. Pas marrjes së çmimit, Dalina ndau edhe një mesazh motivues për të gjithë fëmijët që ndoqën festivalin, duke i inkurajuar të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre.

“Duhet të ëndërrojnë gjithmonë dhe mos të dorëzohen kurrë, siç thotë edhe teksti i këngës sime”, u shpreh ajo.

Në këtë garë muzikore, çmimi i dytë, “Okarina e Argjendtë për Fëmijë”, iu nda Rita Krasniqit për këngën “Soprano”, ndërsa çmimin e tretë, “Okarina e Bronztë për Fëmijë”, e fitoi Marin Keri me këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.

Vlerësim i veçantë iu kushtua edhe krijimtarisë muzikore, ku çmimi për tekstin më të mirë iu nda Aksa Sulejmanit për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi. Çmimin ia dorëzoi aktorja dhe gazetarja e Redaksisë së Fëmijëve në RTK, Anisa Ismaili. E emocionuar, Aksa theksoi se kënga e saj përcjell mesazhin për ta shijuar çdo moment të jetës. Përveç garës, publiku pati mundësinë të shijojë edhe performanca të tjera artistike. Festivalin e hapi Kori Okarina me këngën “O vendi im”, ndërsa programi vazhdoi me interpretimet e artistëve të rinj dhe Orkestrës Amadeus, e cila solli këngën “Malësorja”. Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte rikthimi i këngëtares Adelina Ismajli në skenën e “Akordeve të Kosovës”. Dyzet vjet pas debutimit të saj, ajo u rikthye për të interpretuar këngën “Ne jemi bukuria e atdheut”, duke i dhuruar publikut një moment të veçantë nostalgjie dhe emocioni.

Pjesë e programit ishin gjithashtu performancat e Uran Hamitit me këngën “Zemra flet”, si dhe të Adea Pulës dhe Korit Okarina me këngën “E duam lumturinë”.

Anëtarja e jurisë, Orjeta Lero Kelaj, vlerësoi organizimin e festivalit dhe paraqitjen e artistëve të rinj, duke theksuar se secili prej fëmijëve meriton të konsiderohet fitues për guximin, talentin dhe përkushtimin e treguar në skenë.

Edicioni i parë i “Akordeve për Fëmijë” shënon një hap të rëndësishëm për promovimin e talenteve të reja në Kosovë. Përmes kësaj platforme, fëmijëve iu dha mundësia të prezantojnë aftësitë e tyre artistike në një skenë të madhe muzikore, duke dëshmuar se muzika, ëndrrat dhe pasioni nuk kanë kufij.

Me këtë edicion, “Akordet e Kosovës” dëshmuan se skena muzikore ka vend edhe për gjeneratat e reja, të cilat përmes zërit dhe krijimtarisë së tyre sjellin shpresë për të ardhmen e muzikës shqiptare, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

NË KËRKIM TË KUJTESËS EUROPIANE

0
Jusuf Buxhovi: “VITETE E GJERMANISË”, kujtime, botoi Shtëpia Botuese "FAIK KONTCA", Prishtinë, 2024, faqe 504. ISBN 978-9951-31-023-9 Nga Shefqet DIBRANI Në rrugët e gjata të kujtesës,...