BallinaAtdheuSpecialja zgjat afatin për apel: Mbrojtja e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit...

Specialja zgjat afatin për apel: Mbrojtja e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit ka kohë deri më 27 nëntor

-

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka miratuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë vendosur të zgjasin afatin për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas vendimit të Panelit të Gjykatës së Apelit, si mbrojtja ashtu edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë afat deri më 27 nëntor 2026 për të njoftuar për veprimet që synojnë të ndërmarrin në shkallën e dytë të procedurës.

Mbrojtja kishte kërkuar që afati të shtyhej deri më 15 dhjetor 2026, duke argumentuar se aktgjykimi i shkallës së parë është jashtëzakonisht i gjatë dhe kompleks.

Një tjetër argument i mbrojtjes ka qenë mungesa e përkthimit të plotë të aktgjykimit në gjuhën shqipe. Sipas saj, fakti që të akuzuarit nuk mund ta lexojnë aktgjykimin në gjuhën angleze krijon vështirësi shtesë për përgatitjen e njoftimeve për apel.

Mbrojtja ka argumentuar se, për shkak të mungesës së përkthimit, është detyruar të angazhojë burime të konsiderueshme për përkthimin e materialeve, duke ndikuar kështu në kapacitetin e ekipeve mbrojtëse për përgatitjen e apelit.

Gjykata kërkon respektimin e rregullave për apelimin

Paneli i Apelit ka udhëzuar palët që gjatë procedurës t’u përmbahen rregullave dhe udhëzimeve që përcaktojnë mënyrën e dorëzimit të parashtresave në procedurat e apelit.

Po ashtu, Zyra e Regjistrimit është udhëzuar që ta informojë Trupin Gjykues të Apelit për progresin në përkthimin e aktgjykimit të shkallës së parë në gjuhën shqipe dhe për kohën e parashikuar për përfundimin e këtij procesi.

Në vendimin e saj, Gjykata ka rikujtuar se parashtresat e dorëzuara në Dhomat e Specializuara duhet, si rregull, të jenë publike. Konfidencialiteti mund të zbatohet vetëm kur ekzistojnë arsye të jashtëzakonshme.

Për këtë arsye, mbrojtja është udhëzuar që brenda dhjetë ditësh nga marrja e njoftimit për vendimin të dorëzojë një version publik të redaktuar të kërkesës së saj.

Mbrojtja: Zgjatja nuk dëmton procesin

Në kërkesën e saj, mbrojtja ka vlerësuar se shtyrja e afatit nuk do t’u shkaktojë dëm palëve dhe nuk do të ndikojë në zhvillimin e shpejtë dhe të drejtë të procedurës.

Sipas argumenteve të mbrojtjes, kompleksiteti dhe vëllimi i aktgjykimit, së bashku me mungesën e versionit në gjuhën shqipe, e bëjnë të nevojshme një kohë shtesë për analizimin e vendimit dhe përcaktimin e pikave që do të kundërshtohen në apel.

Vendimi i Panelit të Apelit hap kështu fazën e ardhshme të procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa deri më 27 nëntor 2026 pritet që palët të paraqesin njoftimet e tyre për veprimet në shkallën e dytë.

Procedura e apelit do të përcaktojë më tej hapat që do të ndërmerren lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

“Liria ka Emër” organizon protestën e radhës në mbështetje të ish-krerëve...

0
Platforma “Liria ka Emër” ka organizuar protestën e radhës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin...