BallinaAtdheuKurti: Do të bëjmë gjithçka për korrigjimin e aktgjykimit të Speciales në...

Kurti: Do të bëjmë gjithçka për korrigjimin e aktgjykimit të Speciales në Apel

-

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar bashkërendim të veprimeve politike, juridike dhe institucionale pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e cilësoi aktgjykimin si të padrejtë dhe tha se Kosova duhet të angazhohet për mbrojtjen e së vërtetës historike mbi luftën e UÇK-së.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithçka që dinë dhe munden për të kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur çështja të kalojë në fazën e Apelit.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kurti e cilësoi aktgjykimin si të padrejtë dhe tha se deklarata e miratuar në Kuvendin e Kosovës me 99 vota për përbën hapin e parë të një veprimi të përbashkët institucional.

Sipas tij, deklarata, përtej efektit të saj juridik, shpreh vullnetin e qytetarëve të Kosovës përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, do të bëjmë gjithçka dimë e mundemi, bashkë me kolegët nga Qeveria dhe jo vetëm, për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli dhe drejtësia”, tha Kurti.

Ai kërkoi që veprimet institucionale të bashkërendohen me ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së dhe me ekspertë të fushës, në mënyrë që hapat e ndërmarrë nga institucionet të mos kenë pasoja negative në proceset juridike.

Kurti tha se të dielën ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun. Sipas tij, takimet kanë pasur në fokus veprimet e përbashkëta pas aktgjykimit të 16 shtatorit, si dhe sfidat institucionale, politike dhe shtetërore që e presin Kosovën.

Kurti: UÇK-ja ishte përgjigje ndaj represionit

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti foli edhe për rolin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive, spastrimit etnik e gjenocidit nga Serbia dhe ajo ishte bartëse e luftës së drejtë për liri dhe çlirim”, deklaroi Kurti.

Ai tha se Kosova duhet të ndërtojë një strategji të përbashkët shtetërore, e cila do të bashkërendonte veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike.

Sipas tij, qëllimi duhet të jetë mbrojtja dhe afirmimi i së vërtetës historike mbi luftën e Kosovës.

Presidenti dhe mundësia e zgjedhjeve të reja

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti u ndal edhe te çështja e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Ai tha se aktualisht ekziston mundësia që të arrihet një marrëveshje e re politike dhe që Kuvendi ta zgjedhë presidentin brenda afatit të paraparë.

Kurti kritikoi mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, duke i cilësuar ato si të kushtueshme dhe me pasoja për funksionimin institucional të vendit.

“Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re, edhe zgjedhja e presidentit është e mundshme. Rrjedhimisht, zgjedhjet e reja, të përsëritura, të panevojshme e të kushtueshme, me pasoja të rënda, gjithsesi janë të shmangshme”, tha ai.

Sipas Kurtit, dështimi për zgjedhjen e presidentit do ta çonte vendin sërish drejt zgjedhjeve, ndërsa Qeveria do të vazhdonte të ushtronte detyrën.

Ai u bëri thirrje subjekteve politike për dialog dhe bashkëpunim, duke argumentuar se qytetarët presin nga institucionet më shumë përgjegjësi dhe vazhdimësi në punën e tyre.

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja

Kurti foli gjithashtu për zhvillimet politike në Luginën e Preshevës, duke përshëndetur bashkimin e përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

Ai tha se përfaqësuesit politikë shqiptarë kanë arritur marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët, të emërtuar “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare në Serbi të 25 tetorit.

Kryeministri tha se çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka qenë gjithashtu një nga temat për të cilat ka diskutuar gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas tij, në takimet e zhvilluara në SHBA janë diskutuar edhe çështja e personave të zhdukur, zhvillimi ekonomik dhe tema të tjera me rëndësi për Kosovën.

Në përfundim të mbledhjes, Kurti përsëriti thirrjen për bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike dhe institucioneve të Kosovës, duke theksuar nevojën që vendi të shmangë krizat e reja politike dhe të fokusohet në funksionimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe përballjen me sfidat që lidhen me proceset juridike dhe diplomatike, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Ronaldo merr vendim të papritur

0
Cristiano Ronaldo nuk u stërvit të martën me pjesën tjetër të kombëtares së Portugalisë, në prag të përballjes me Danimarkën. Kapiteni portugez u shfaq...