Prishtinë, 7 maj 2026 – Sot përfundon afati i përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për partitë politike që të njoftojnë zyrtarisht nëse do të marrin pjesë apo jo në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, si dhe për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri të mërkurën në ora 12:00, gjithsej 18 parti politike kanë dorëzuar njoftimin për pjesëmarrje në procesin zgjedhor, ndërsa katër subjekte të tjera kanë deklaruar se nuk do të garojnë në këto zgjedhje.
Në anën tjetër, deri më tani është regjistruar vetëm një koalicion parazgjedhor, “Koalicija VAKAT”, i cili përbëhet nga dy parti politike të komunitetit boshnjak.
KQZ ka njoftuar gjithashtu se afati për aplikimin e subjekteve të reja politike mbetet i hapur deri më 10 maj, ndërsa dorëzimi i listave me kandidatët për deputetë do të vazhdojë deri më 12 maj 2026.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 7 qershor dhe pritet të përcaktojnë përbërjen e re parlamentare pas zhvillimeve të fundit politike në vend, transmeton rtk.




