BallinaDiasporaKongresmeni amerikan Mike Lawler thirrje qeverisë Rama

Kongresmeni amerikan Mike Lawler thirrje qeverisë Rama

-

Kongresmeni amerikan Mike Lawler ka reaguar për protestat kundër qeverisë që po zhvillohen në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare të ulë menjëherë tensionet dhe t’i japë fund përdorimit të forcës ndaj protestuesve paqësorë.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Lawler shprehet se ka marrë shqetësime nga zgjedhësit e tij shqiptaro-amerikanë në distriktin e 17-të të Nju Jorkut, të cilët janë të alarmuar për zhvillimet në Shqipëri dhe ndikimin e tyre në të ardhmen e demokracisë.

Kongresmeni amerikan thekson se qëndron në krah të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe popullit shqiptar, duke nënvizuar se çdo qeveri demokratike, veçanërisht vendet anëtare të NATO-s, duhet të respektojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht dhe për të shprehur lirshëm pikëpamjet e tyre.

“Kam dëgjuar nga zgjedhësit e mi shqiptaro-amerikanë në distriktin NY-17, të cilët janë thellësisht të shqetësuar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe për atë që këto zhvillime nënkuptojnë për të ardhmen e demokracisë në vend. Unë qëndroj në krah të zgjedhësve të mi dhe të popullit shqiptar”, shkruan Lawler.

Ai i drejton një apel të qartë qeverisë shqiptare që të ndalojë përdorimin e forcës ndaj qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore.

“Çdo qeveri, veçanërisht demokracitë dhe aleatët e NATO-s, duhet të respektojë të drejtën e qytetarëve të saj për të protestuar paqësisht dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre. I bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë menjëherë tensionet dhe t’i japë fund përdorimit të forcës ndaj protestuesve paqësorë”, përfundon kongresmeni amerikan Mike Lawler./BW

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Rama nga Mali i Zi: Samiti i Procesit të Berlinit, një...

0
Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Miloçer, pranë Budvës, në Mal të Zi, për të diskutuar të ardhmen e përbashkët...