Liga e kombeve do të luajë sonte disa përballje të rëndësishme, ku vëmendjen kryesore e merr supersfida mes Italisë dhe Francës. Spanja kërkon të ruajë ecurinë perfekte ndaj Çekisë, ndërsa Anglia synon të sigurojë kualifikimin përballë Kroacisë. Italia dhe Franca përballen në një duel që mund të përcaktojë fatet e grupit A1 në ligën e kombeve. Në “San Siro”, dy rivalët historikë vihen përballë në një sfidë ku francezët kanë avantazhin në klasifikim, por italianët kërkojnë të shfrytëzojnë momentin për të ngushtuar diferencën dhe për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e parë.
Franca kryeson grupin me 10 pikë, e ndjekur nga Italia me 7, Belgjika me 6 dhe Turqia pa pikë. Një fitore do t’i garantonte skuadrës së Zinedine Zidane vendin e parë dhe kualifikimin në çerekfinale, ndërsa Italia ka nevojë për tri pikët për të barazuar rivalin në renditje.
Përballja e parë mes tyre përfundoi në barazim 1-1. Italia vjen pas një fitoreje 3-1 ndaj Turqisë, ndërsa Franca tregoi forcën e saj sulmuese në triumfin 4-1 kundër Belgjikës. Në kampin italian, mungesa e Gianluca Mancinit është një nga shqetësimet kryesore. Franca do të zbresë në fushë me një sërë mungesash të rëndësishme, që e detyrojnë Zinedine Zidane të ndryshojë planet për këtë përballje. Kylian Mbappe është mungesa më e madhe, pasi kapiteni ka ndjerë shqetësime muskulore në kofshë dhe nuk do të rrezikohet ndaj Italisë. Përveç tij, jashtë janë edhe Dembele, Thuram, Kalulu, Saliba, Kounde, dhe Tchouameni.
Sfida do të luhet sonte në orën 20:45. Në të njëjtën orë do të luhet edhe sfida mes Spanjës dhe Çekisë.
Kampionët e botës synojnë të vazhdojnë serinë e fitoreve dhe për të konfirmuar dominimin në grupin A3. Spanja ka 12 pikë pas katër ndeshjeve dhe e ka siguruar tashmë kualifikimin në çerekfinale, por objektivi i Luis De La Fuentes është të ruajë vendin e parë dhe ecurinë pozitive. Spanja do të ketë mungesa të rëndësishme në këtë takim, pasi Lamine Yamal dhe Mikel Oyarzabal nuk do të jenë të gatshëm. Në sfidën tjetër të këtij grupi, Anglia kërkon të sigurojë një vend në çerekfinale përballë Kroacisë, në një duel që do të luhet në “Wembley”. Tre Luanët renditen të dytët në grupin A3 me 9 pikë, tri më pak se Spanja, ndërsa një fitore do t’i garantonte kalimin në fazën tjetër.
Në sfidat e tjera, Mali i Zi përballet me Letoninë, me objektivin për të ruajtur kreun e grupit C2, ndërsa San Marino pret Bjellorusinë, në një sfidë ku kërkon pikët e para, por tashmë e ka të konfirmuar vendin e fundit në grupin C1./BS










