POSTIMET E FUNDIT

Shtetësia shqiptare dhe e Kosovës për banorët e Luginës së Preshevës nuk është privilegj — është identitet kombëtar

Foto nga D.Luboja

Nga Dashnim HEBIBI, Zürich

(Autori është Doktor i Shkencave Politike dhe President i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me seli në Zvicër)

Në shoqëritë demokratike dhe në rendin bashkëkohor ndërkombëtar, shtetësia nuk përfaqëson vetëm një status juridik, por mbi të gjitha një element themelor të identitetit, përkatësisë dhe dinjitetit njerëzor. Për komunitetet që historikisht kanë ruajtur gjuhën, kulturën dhe vetëdijen kombëtare përballë sfidave të shumta politike e shoqërore, e drejta për t’u ndier institucionalisht pjesë e kombit të tyre merr dimension edhe më të thellë. Pikërisht në këtë kontekst qëndron edhe kërkesa legjitime e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të pasur mundësi më të lehtësuara për marrjen e shtetësisë së Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Jam në atë fazë të jetës ku nuk ndiej më nevojën për debate të kota. Edhe nëse dikush do të pretendonte se 1+1 bëjnë 3, do ta lija të kishte të drejtën e vet, sepse qetësia shpirtërore dhe dinjiteti njerëzor kanë më shumë vlerë sesa përplasjet e pafundme të mendimeve. Ka raste kur heshtja është mençuri, por ka edhe çështje që nuk mund të heshten, sepse lidhen drejtpërdrejt me identitetin, përkatësinë dhe të drejtën njerëzore për t’u ndier i barabartë me kombin tënd. Një ndër këto çështje mbetet pozita e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Prej vitesh, kjo pjesë e etnisë shqiptare jeton mes sfidave politike, ekonomike dhe shoqërore, duke ruajtur me dinjitet gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar. Pavarësisht vështirësive, shqiptarët e kësaj treve nuk janë shkëputur asnjëherë shpirtërisht nga trungu kombëtar. Përkundrazi, ata kanë vazhduar të japin kontribut në ruajtjen e vlerave shqiptare, duke mbetur një element i rëndësishëm i historisë dhe ndërgjegjes sonë kombëtare. Sot, kërkesa për të pasur shtetësinë e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës nuk duhet parë thjesht si një procedurë juridike apo privilegj administrativ. Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, kjo përfaqëson një ndjenjë sigurie, barazie dhe pranimi institucional nga shtetet që mishërojnë identitetin e tyre kombëtar. Është një kërkesë që buron nga lidhja shpirtërore me kombin dhe nga dëshira legjitime për të qenë më afër trungut të vet historik e kulturor.

Ndër ata që e dëshirojnë më së shumti, me shpirt e me zemër, që një ditë të kenë edhe shtetësinë shqiptare dhe të Kosovës, jam edhe unë. Jo vetëm si një dokument që vërteton identitetin juridik, por si një simbol përkatësie, krenarie dhe lidhjeje të pandashme me kombin tim. Sepse për ne, shtetësia nuk është vetëm status ligjor; ajo është ndjenjë, histori dhe identitet.

Në këtë frymë, gjatë çdo fushate zgjedhore parlamentare në Kosovë, do të doja të dëgjoja qartë dhe publikisht një premtim institucional për shqiptarët e Luginës së Preshevës, lidhur me lehtësimin dhe mundësimin e pajisjes me shtetësinë e Kosovës. Kjo nuk është një kërkesë individuale apo emocionale, por një çështje që prek drejtpërdrejt jetën dhe të ardhmen e rreth 100.000 banorëve të asaj etnie shqiptare, të cilët prej dekadash mbajnë gjallë identitetin kombëtar në kushte jo të lehta. Është koha që institucionet shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë të dëgjojnë me më shumë ndjeshmëri zërin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të krijojnë politika më gjithëpërfshirëse për ta. Një komb nuk matet vetëm me kufij politikë, por me aftësinë për të mos harruar bijtë e vet, kudo që ndodhen. Lugina e Preshevës nuk duhet të mbetet në periferi të kujdesit kombëtar, sepse ajo ka qenë dhe vazhdon të mbetet një pjesë e gjallë e identitetit shqiptar. Një komb bëhet më i fortë kur i qëndron pranë çdo shqiptari që ruan me krenari gjuhën, flamurin dhe përkatësinë e vet. Dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë dëshmuar këtë besnikëri ndër dekada, me sakrificë, qëndresë dhe dashuri të pashtershme për kombin shqiptar. Në fund, njerëzve shpirtbardhë u uroj një fundjavë të qetë, me paqe, mirësi dhe dritë në zemër. Ndërsa atyre që mbajnë oqeane të së keqes dhe pika të zeza në shpirt, do t’u thoja vetëm kaq: ta mendojnë se një ditë të gjithë do të jemi nën atë tokë mbi të cilën shkelim çdo ditë. Prandaj, më shumë se urrejtja, le të mbetet njerëzia si gjurma më e vlefshme që lëmë pas. 

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB