Më 27 gusht 2026, në ambientet e Misionit Katolik Shqiptar në Luzern, u shënua një tjetër moment i bukur në rrugëtimin e Ansamblit “Shqiponja”, me fillimin e aktivitetit të grupit të dytë të të rinjve. Më shumë se 30 të rinj shprehën interesimin për t’iu bashkuar Ansamblit Shqiponja. Ajo që e bëri këtë fillim edhe më të veçantë ishte fryma e bashkimit: të rinj shqiptarë, katolikë e myslimanë, u mblodhën së bashku rreth gjuhës, kulturës, traditës dhe vlerave tona të përbashkëta kombëtare.

Takimi nisi me përshëndetjen e Don Anton Ukës, i cili u përcolli të rinjve një mesazh inkurajues, duke theksuar jo vetëm rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të kulturës shqiptare, por edhe vlerën e miqësisë dhe të lidhjeve njerëzore që lindin e forcohen përmes takimeve të tilla.
Në fjalën e tij, Don Antoni u ndal edhe te forca tërheqëse e së bukurës, duke u kujtuar të rinjve se e bukura tërheq vetvetiu. Vetë fakti që kaq shumë prej tyre kishin zgjedhur të ishin të pranishëm ishte, sipas tij, dëshmi se ata kishin parë diçka të bukur te “Shqiponja” dhe te ajo që ky Ansambël përfaqëson.
“Fakti që ju jeni këtu është dëshmi se keni parë diçka të bukur. Me praninë dhe angazhimin tuaj, ju dëshironi që këtë të bukur ta bëni edhe më të dukshme dhe ta pasuroni më tej.”
Ky mesazh u bë një ftesë për të rinjtë që të mos jenë vetëm pjesëmarrës, por me talentin, energjinë dhe përkushtimin e tyre të bëhen pjesë aktive e ndërtimit të kësaj bashkësie.
Më pas, Gjens Frrokaj, si përfaqësues i Kryesisë së Ansamblit “Shqiponja”, i njohu të rinjtë me aspektet organizative dhe rregullative të funksionimit të Ansamblit.
Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetarja e Ansamblit, Denisa Merturi, e cila u uroi mirëseardhje anëtarëve të rinj, duke u dëshiruar mbarësi, suksese dhe një rrugëtim sa më të bukur në familjen e madhe të “Shqiponjës”.
Pas pjesës përshëndetëse dhe informuese, filluan edhe provat e para. Nën tingujt e muzikës dhe ritmin e valleve shqiptare, mbrëmja vazhdoi në një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe plot entuziazëm.
“Shqiponja” – aty ku kultura dhe miqësia na bashkojnë
Kjo mbrëmje dëshmoi edhe një herë se identiteti dhe kultura shqiptare janë ura që na afrojnë dhe na bashkojnë, pavarësisht fesë dhe orientimeve personale. Po aq e rëndësishme është edhe miqësia që krijohet mes të rinjve, duke e bërë Ansamblin jo vetëm një vend ku mësohen e kultivohen vallet dhe traditat shqiptare, por edhe një hapësirë takimi, njohjeje dhe bashkimi.
Nën emrin e “Shqiponjës”, të rinjtë gjejnë një hapësirë të përbashkët ku mund të krijojnë miqësi, të vallëzojnë, të ndajnë momente të bukura dhe, mbi të gjitha, të ruajnë e t’ua përcjellin brezave të ardhshëm kulturën dhe traditat tona, transmeton Misioni Katolik Shqiptar-Luzern, përcjell helveticALforum.ch.










