Kongresi i Elbasanit, i mbajtur më 2 shtator 1909, përfaqëson një nga momentet kyçe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Mbledhja e tij ishte një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës dhe kulturës shqiptare, që njihej ndryshe edhe si “Kongresi i Shkollave Shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda dhe jashtë territoreve shqiptare.
Midis delegatëve të kongresit kishte veprimtarë të njohur të Lëvizjes Kombëtare, si edhe mësues atdhetarë, siç ishin Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hamdi Ohri, Nikollë Kaçori, Andrea Konomi, Idhomen Kosturi, Kahreman Vrioni etj.
Programi kulturor e arsimor që hartoi Kongresi i Elbasanit parashtronte njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në sistemin ekzistues arsimor dhe përhapjen e mëtejshme të arsimit në gjuhën shqipe. Një nga vendimet më të rëndësishme ishte themelimi i Shkollës Normale të Elbasanit, e cila u hap më 1 dhjetor 1909 dhe u bë një institucion i rëndësishëm për përgatitjen e mësuesve shqiptarë. Po ashtu, Kongresi u kushtoi rëndësi hartimit të programeve mësimore, organizimit të shkollave shqipe dhe nxitjes së botimit e përhapjes së librave në gjuhën shqipe. Çështja e alfabetit ishte trajtuar më parë në mënyrë të veçantë nga Kongresi i Manastirit i vitit 1908.
Rëndësia e këtij Kongresi është e madhe, sepse ai hodhi baza të rëndësishme për zhvillimin e arsimit kombëtar shqiptar dhe forcoi unitetin kulturor të kombit në periudhën që i parapriu Shpalljes së Pavarësisë.
Kongresi i Elbasanit mori një sërë vendimesh, të pasqyruara në Aktin e Vendimeve të Kongresit, i cili përmbante 15 pika, si dhe miratoi rregulloren e klubeve dhe shoqërive patriotike. Në vendimet e këtij kongresi theksohej se Shoqëria “Përparimi”, që do të krijohej në Korçë, kishte për detyrë të financonte mbajtjen e Shkollës Normale. Me ndihmat që do të grumbulloheshin, ajo do t’u jepte mbështetje shkollave shqipe ekzistuese, do të orientonte hapjen e shkollave të reja në shumë vise të vendit, si dhe do të nxiste përhapjen e mësimit të shqipes edhe në shkollat e huaja që ekzistonin në territoret shqiptare.
Jo rastësisht, për mbajtjen e kongresit të arsimit u zgjodh qyteti i Elbasanit. Ishin traditat e shkëlqyera patriotike, arsimore e kulturore, si dhe figurat e spikatura të Rilindjes Kombëtare të këtij qyteti, që ndikuan në zgjedhjen e tij.
Kongresi i Elbasanit hodhi bazat më të rëndësishme për zhvillimin dhe konsolidimin e arsimit kombëtar shqiptar.
www.akad.gov.al /GD










