Mbrëmë në Glattbrugg u mbajt mbledhja e parë e këtij viti shkollor 2026/2027 e LAPSH për Kantonin e Cyrihut.
Mbledhjen e hapi Kryetari i LASPH-së për Kantonin e Cyrihut z. Naser Ulaj, i cili u uroi mirëseardhje të gjithë mësuesve dhe u dëshiroi një fillim të mbarë, të suksesshëm dhe me sa më shumë rezultate në vitin e ri shkollor.
Në mbledhje morën pjesë të gjithë mësuesit dhe pothuajse të gjithë anëtarët e kryesisë, ndërsa për arsye të ndryshme munguan dy anëtarë të kryesisë.
Në vazhdim të mbledhjes, secili mësues raportoi për fillimin e vitit të ri shkollor, përgatitjet e bëra, si dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor në shkollat përkatëse. Në përgjithësi, fillimi i vitit shkollor ka nisur mirë dhe pa vështirësi të theksuara.
Përjashtim bëjnë disa shkolla, në të cilat ka pasur ndryshime në lokacionet e shkollave dhe në klasat mësimore. Megjithatë, të gjitha këto ndryshime janë menaxhuar me sukses dhe tashmë gjithçka i është rikthyer normalitetit, pa paraqitur vështirësi të tjera të rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu prioritetet dhe objektivat kryesore për vitin shkollor 2026/2027. U theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet mësuesve dhe prindërve, koordinimin e aktiviteteve dhe angazhimin e përbashkët për një proces mësimor sa më cilësor.

Gjatë mbledhjes u caktuan gjithashtu të gjitha datat për aktivitetet kulturore që do të zhvillohen gjatë këtij viti shkollor. Mësuesit u udhëzuan që përgatitjet për këto aktivitete të fillojnë me kohë, në mënyrë që ato të organizohen sa më mirë dhe me sukses. Po ashtu, u theksua rëndësia e rezervimit me kohë të sallave dhe hapësirave të nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve.
Viti i ri shkollor sjell para nesh sfida dhe përgjegjësi të reja, por njëkohësisht edhe mundësi të reja për të avancuar punën në funksion të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar te brezi i ri.
Me përkushtim, profesionalizëm dhe bashkëpunim të ndërsjellë, synimi ynë mbetet që viti shkollor 2026/2027 të jetë një vit i suksesshëm, me rezultate të mira dhe me përfitime sa më të mëdha për nxënësit tanë.
Një vit i ri shkollor, një mision i përbashkët, pas çdo klase, çdo mësimi dhe çdo aktiviteti qëndron një qëllim i madh: të ua mësojmë fëmijëve tanë gjuhën e bukur shqipe dhe të mbajmë të gjallë lidhjen me kulturën, traditën dhe rrënjët e tyre.
Urojmë një vit të mbarë, të suksesshëm dhe të begatë për të gjithë mësuesit, nxënësit dhe prindërit!
Fotografia: Lulzim Hasi










