Glarus, 20 qershor 2026 – Në kuadër të manifestimit tradicional “Fest der Kulturen”, që u mbajt të shtunën në Glarus, shefi i misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Berisha, mori pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e kësaj feste shumëkulturore, e cila promovon bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe respektin ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Siç mëson HelveticALForum.ch, z. Berisha e vlerësoi lart rëndësinë e këtij manifestimi, duke theksuar se ai pasqyron vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar shoqëria zvicerane.
“Patëm kënaqësinë të marrim pjesë në këtë manifestim që pasqyron vlerat e diversitetit kulturor dhe bashkëjetesës, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të identitetit të Konfederatës Zvicerane”, u shpreh ai.
Gjatë pjesëmarrjes në këtë ngjarje, delegacioni pati mundësinë të takohej edhe me anëtarët e bendit tradicional Glaronia Pipes & Drums. Sipas z. Berisha, ky formacion muzikor përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të rajonit. Ai theksoi se bendi është themeluar në vitin 1982 në Kantoni i Glarusit dhe renditet ndër formacionet më të vjetra të këtij lloji në Zvicër. Përmes interpretimit të muzikës tradicionale dhe angazhimit të vazhdueshëm ndër vite, anëtarët e tij kanë dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore e muzikore. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në “Fest der Kulturen” dëshmon përkushtimin e institucioneve kosovare në mbështetjen e dialogut ndërkulturor, forcimin e lidhjeve me komunitetet lokale dhe promovimin e vlerave të bashkëjetesës që karakterizojnë shoqërinë zvicerane.
Manifestimi në Glarus mblodhi pjesëmarrës nga kultura dhe komunitete të ndryshme, duke e shndërruar edhe këtë edicion në një festë të diversitetit, respektit të ndërsjellë dhe shkëmbimit kulturor, transmeton helveticALForum.ch.
( Foto nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih)




