BallinaAtdheuKosova dhe Izmiri synojnë forcimin e bashkëpunimit ekonomik

Kosova dhe Izmiri synojnë forcimin e bashkëpunimit ekonomik

Prishtinë – Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, sot mirëpriti në ambientet e ministrisë kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, së bashku me bashkëpunëtorët e tij nga Republika e Turqisë. Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Izmirit, me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve, zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet bizneseve dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim në sektorë të ndryshëm.

Ministrja Mimoza Kusari-Lila theksoi rëndësinë e veçantë që Izmiri ka për Kosovën, jo vetëm si një prej qendrave të rëndësishme ekonomike të Turqisë, por edhe për shkak të lidhjeve të forta njerëzore. Në këtë qytet jetojnë mijëra shqiptarë, përfshirë shumë qytetarë me origjinë nga Kosova. Gjatë takimit, ministrja Kusari-Lila vuri në pah potencialin që Kosova ofron për investitorët nga Izmiri, veçanërisht për kompanitë prodhuese që synojnë zgjerimin e aktiviteteve të tyre. Ndër përparësitë e Kosovës u veçuan politikat fiskale atraktive, afërsia me tregun e Bashkimit Evropian, fuqia punëtore e kualifikuar, si dhe mundësitë që krijohen përmes marrëveshjeve tregtare, përfshirë marrëveshjen për tregti të lirë me EFTA-n dhe tri protokollet e CEFTA-s, të ratifikuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në prill të këtij viti.

Forumi Ekonomik dhe Kulturor në Izmir

Një prej nismave konkrete të paralajmëruara gjatë takimit është organizimi i Forumit Ekonomik dhe Kulturor në Izmir, i cili planifikohet të mbahet në muajin nëntor. Forumi synon të krijojë mundësi për takime të drejtpërdrejta B2B ndërmjet bizneseve kosovare dhe turke, me qëllim identifikimin e mundësive për investime, partneritete dhe projekte të përbashkëta. Fokusi kryesor do të jetë në sektorë me potencial të madh zhvillimor, si industria e metalit, plastika, përpunimi i ushqimit, tekstili dhe turizmi. Përmes këtij forumi synohet që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Izmirit të mos mbeten vetëm në nivelin institucional, por të shndërrohen në bashkëpunime konkrete ndërmjet kompanive.

Diskutohet linja direkte Prishtinë–Izmir

Në takim u diskutua edhe mundësia e vendosjes së një linje të drejtpërdrejtë ajrore Prishtinë–Izmir, e cila do të mund të kishte ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Një lidhje direkte ajrore do të lehtësonte lëvizjen e qytetarëve dhe biznesmenëve, ndërsa njëkohësisht do të krijonte mundësi të reja për zhvillimin e turizmit dhe forcimin e lidhjeve njerëzore. Duke pasur parasysh numrin e madh të shqiptarëve dhe qytetarëve me origjinë nga Kosova që jetojnë në Izmir, një linjë e tillë do të kishte rëndësi të veçantë edhe për diasporën dhe familjet që kanë lidhje të drejtpërdrejta me Kosovën.

Takimi ndërmjet ministres Mimoza Kusari-Lila dhe kryetarit të Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, shënon një hap të rëndësishëm drejt intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe institucional. Me organizimin e Forumit Ekonomik dhe Kulturor në nëntor dhe me shqyrtimin e mundësisë për një lidhje të drejtpërdrejtë ajrore Prishtinë–Izmir, Kosova synon të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet ekonomike me një prej qyteteve më të rëndësishme të Turqisë, njofton INTI, transmeton helveticALforum.ch.

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kosova dhe Shqipëria do përdorin automjete të SHBA-ve për mision në...

0
SHBA-ja do t’i pajisë Kosovën dhe Shqipërinë me mjete të blinduara, në kuadër të kontributit të tyre në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në...