POSTIMET E FUNDIT

Samiti, Dhuka: Diaspora, partner kyç për integrimin në BE

Në Samitin e IV të Diasporës, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja me BE-në, Majlinda Dhuka, theksoi rolin vendimtar të diasporës shqiptare në procesin e integrimit evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Gjatë fjalës së saj në panelin me temë “Diaspora shqiptare si partner mbështetës për integrimin evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, Dhuka u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment kyç të historisë së saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ministrja nënvizoi se ky proces kërkon bashkëpunim të ngushtë me diasporën shqiptare, duke e konsideruar atë si një nga asetet më të rëndësishme të vendit. Ajo ftoi shqiptarët që jetojnë jashtë të kontribuojnë me njohuritë, përvojën dhe investimet e tyre në transformimin evropian të Shqipërisë.

“Shqipëria ndodhet në një moment kyç, në një çast historik të rrugës së saj drejt familjes evropiane. Shqipëria 2030 në BE është më shumë se një aspiratë apo një ëndërr e shqiptarëve kudo që ndodhen, është një projekt real. Ne kemi kaluar nga faza përgatitore në fazën e negociatave intensive konkrete në procesin e anëtarësimit. Jemi për të diskutuar së bashku për të nja platformë bashkëpunimi se si kontributin tuaj mund ta drejtojmë në këtë transformim për Shqipërinë në BE në 2030. Ka shumë mënyra se si ne mund të punojmë bashkë”, tha Dhuka.

Ajo theksoi se sektorë si ekoturizmi, agroturizmi, shërbimet digjitale, teknologjia dhe energjia e rinovueshme ofrojnë mundësi të mëdha për investime dhe zhvillim, duke krijuar një urë lidhëse mes tregut shqiptar dhe atij evropian.

Gjithashtu, Dhuka bëri të ditur se ekzistojnë programe konkrete që synojnë të përfshijnë diasporën në këtë proces, duke kanalizuar kontributin e saj në zhvillimin ekonomik dhe integrimin e vendit.

“92% e qytetarëve evropianë mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë. Shqiptarët janë populli më evropiandashës në të gjithë Evropën dhe kjo mbështetje e madhe është një urim energjie për këtë transformim., ne kemi shumë nevojë për pjesëmarrjen dhe kontributin tuaj për këtë transformim evropian për vendin. Keni nevojë për njohuritë tuja për teknologjinë risitë, për njohuritë që keni me bizneset tuaj, kemi nevojë për inovacion sidomos sa i përket standardeve ët BE , të cilat ju i keni prekur të gjitha në praktikë. Ju jeni kapitali më i çmuar i Shqipërisë dhe investimet tuaj do të sjellin ndryshime pozitive në sektorë të ndryshëm. Ekoturizmi, agro-turizmi, shërbimet digjitale, teknologjia, energjia e rinovueshme etj. janë sektorë që Shqipëria do punojë për t’i transformuar me tregun e BE. Do ketë plot hapësira investimi në projekte që ju keni eksperiencë nga vendet që vini. Kemi disa programe se si mundet që njohuria, koha dhe energjia juaj t’i bashkohet përpjekjes tonë në rrugën e vendit drejt BE-së”, u shpreh ajo, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB