Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë punimeve të Samitit të Diasporës ka informuar gjerësisht mbi masat e sigurisë, menaxhimin e kufijve dhe luftën kundër migracionit të paligjshëm gjatë punimeve të Samitit të Diasporës.
Në panelin e dedikuar për “Migracionin dhe politikat e riatdhesimit”, kreu i Policisë prezantoi bilancin e institucionit, duke theksuar procesin e modernizimit të tij.
Turizmi dhe bilanci i sigurisë
Gjatë fjalës së tij, Hita u ndal te menaxhimi i flukseve të larta turistike dhe masat e marra për garantimin e rendit publik gjatë sezonit. Ai rikonfirmoi vizionin e ri të institucionit në raport me qytetarët dhe të huajt.
“Qasja jonë sot është e qartë, Policia si shërbim, në shërbim të ligjit, qytetarëve, bashkëkombasve tanë të diasporës, por edhe për çdo shtetas të huaj që viziton vendin tonë,” deklaroi Hita.
Lidhur me bilancin e kriminalitetit ndaj vizitorëve, ai theksoi: “Siguria është pasaporta e Policisë së Shtetit për miliona turistë dhe vizitorë. Me kënaqësi deklaroj se asnjë ngjarje e rëndë kriminale nuk është regjistruar ndaj turistëve.”
Lufta kundër migracionit të paligjshëm
Një pjesë thelbësore e raportimit iu kushtua përballjes me rrjetet e kontrabandimit të emigrantëve. Hita theksoi se strukturat kufitare janë angazhuar maksimalisht për të menaxhuar flukset, kryesisht ato që vijnë nga Greqia drejt BE-së, duke arrestuar organizatorë shqiptarë dhe të huaj. Në rrafshin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ai veçoi rezultatet e arritura me autoritetet britanike.
“Në këtë kuadër, dua të përmend një nga rastet e suksesshme të bashkëpunimit, atë me Mbretërinë e Bashkuar, ku kemi ulur në mënyrë drastike numrin e personave që tentonin të hynin në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe të atyre që tentonin të përdornin Shqipërinë si vend tranzit,” theksoi Drejtori i Policisë.
Modernizimi institucional
Në mbyllje të fjalës së tij, Hita u shpreh se rritja e parametrave të sigurisë kërkon një përditësim të vazhdueshëm të kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore të agjencive ligjzbatuese.
“Investimet në teknologji, rritja e kapaciteteve në burime njerëzore dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë janë shtyllat mbi të cilat po ndërtojmë këtë transformim,” përfundoi ai, transmeton rtsh.




