Prishtinë – Ish-kongresmeni amerikan dhe miku i njohur i Kosovës, Joe DioGuardi, ka bërë thirrje që Kosova të dalë sa më shpejt nga kriza politike dhe të zgjedhë presidentin e vendit. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, DioGuardi u shpreh i shqetësuar për situatën aktuale politike, duke paralajmëruar se zgjatja e krizës mund ta vendosë Kosovën përballë sfidave serioze.
“Jam këtu për t’u siguruar që ju të keni një president dhe shpresoj që kjo të ndodhë para se të largohem”, deklaroi DioGuardi, duke theksuar rëndësinë e funksionimit të institucioneve të Kosovës.
Ai paralajmëroi gjithashtu se situata e krijuar mund të ndikojë edhe në stabilitetin e rajonit, duke bërë thirrje që qytetarët të jenë më të vëmendshëm ndaj zhvillimeve politike.
“Ju keni armiq që tashmë janë gati të prishin ekuilibrin në Ballkan. Nuk është koha për të fjetur gjumë, sepse njerëzit janë gati t’ju marrin atë që keni”, u shpreh ish-kongresmeni amerikan. Deklaratat e DioGuardit u bënë të hënën në Prishtinë, në një ditë të veçantë për të dhe bashkëshorten e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, të cilët morën zyrtarisht shtetësinë e Republikës së Kosovës. Pasaportat e Kosovës iu dorëzuan Joe DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pas marrjes së dekretit për shtetësinë, transmeton euronewsal. DioGuardi, i cili për vite me radhë ka qenë një nga zërat më të fuqishëm në Shtetet e Bashkuara në mbështetje të çështjes së Kosovës, vijon të mbajë një qëndrim aktiv ndaj zhvillimeve politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit./EN










