BallinaEKSKLUZIVERevolucioni digjital në Shqipëri!

Revolucioni digjital në Shqipëri!

-

Nga Akademik Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti

Në një kohë kur debati politik shpesh dominohet nga kritikat, pakënaqësitë dhe përplasjet, është e rëndësishme që, krahas vërejtjeve të drejta ndaj qeverisjes, të dimë të vlerësojmë edhe zhvillimet që sjellin rezultate konkrete për vendin. Kritika është e domosdoshme në një shoqëri demokratike, por ajo nuk duhet të shndërrohet në nihilizëm të përgjithshëm, sepse një qasje e tillë dekurajon iniciativat, zbeh arritjet dhe pengon besimin në të ardhmen. Shqipëria, në disa fusha, po dëshmon se një vend i vogël mund të bëhet shembull edhe përtej kufijve të tij.

Të dashur miq,

Krahas pakënaqësive që shprehen për qeverisjen në Shqipëri, mbase një pjesë edhe me të drejtë, duhet pranuar se kohëve të fundit, gjithnjë e më shpesh, për disa zhvillime, ajo gjendet në krye të tabelave globale që publikojnë institucionet më relevante botërore. Sot, Banka Botërore, në “Lajmin Javor” (Newsletter), ku përzgjidhen zhvillimet më të rëndësishme globale, e ka renditur Shqipërinë të parën për ndërhyrjet revolucionare që ka ndërmarrë në sektorin e digjitalizimit.

“Shqipëria ka ndërtuar 216 Laboratorë të Mençur dhe ka trajnuar më shumë se 800 edukatorë/mësues për t’u mësuar mbi 70.000 nxënësve se si të zhvillojnë shkathtësitë e kodimit dhe të menduarit kritik, duke krijuar talentet që fuqia punëtore e së ardhmes të posedojë të gjitha shkathtësitë digjitale që kërkon tregu i punës”, thekson Banka Botërore. Çdo javë, Banka Botërore liston 3–4 tregime të suksesshme në rrafsh global, me synimin që të motivojë edhe qeveritë e tjera t’i ndjekin këto modele zhvillimi. Kjo, në rrafsh planetar, flet shumë dhe, për kë e kupton rëndësinë e saj, nuk ka nevojë për ndonjë narracion tjetër. Ka kohë që dy prej institucioneve më të rëndësishme financiare në botë – FMN-ja dhe Banka Botërore – krahas sektorëve si ushqimi, përfshirë ujin e pijshëm, energjetika dhe mbrojtja e ambientit, e rendisin digjitalizimin ndër sektorët më prioritarë të së tashmes dhe të së ardhmes. Sa më parë që këtë realitet ta kuptojnë politikëbërësit, aq më të suksesshme do të jenë politikat e tyre zhvillimore. Në miniaturë, apo në qasjen mikro, në rastin e Maqedonisë së Veriut, këtë më së miri e dëshmon UEJL-i tash e një çerek shekulli. Për shkak të qasjes së hershme ndaj digjitalizimit, dikur na thoshin se ishim “kolegj pa indeks”, ndërsa sot, pas një çerek shekulli, të gjithë përpiqen ta ndjekin këtë model dhe, në një mënyrë apo tjetër, ta kopjojnë. Dhe kjo nuk është aspak keq. Përkundrazi. Është dëshmi se një ide e mirë, kur zbatohet me vizion dhe këmbëngulje, mund të bëhet model për të tjerët. Por dallimi mbetet: lideri është ai që e nis rrugën; të tjerët vijnë pas tij.

Jo rastësisht, mbi 70% e studentëve të UEJL-it punësohen brenda gjashtë muajve të parë pas diplomimit. Po ashtu, Fakulteti i Shkencave Kompjuterike është sot një ndër më të dalluarit, jo vetëm në vend, por edhe në rajon e më gjerë. E gjithë kjo lidhet drejtpërdrejt me një vizion të qartë: investimin në digjitalizim dhe në shkathtësitë që kërkon ekonomia e së ardhmes.

Prandaj, Shqipërinë duhet ta përgëzojmë për këto arritje – dhe jo vetëm për to.

Sigurisht, mbetet shumëçka për t’u bërë, shumëçka që mund të bëhet më mirë, më shpejt dhe më efikas. Por një shoqëri që dëshiron të ecë përpara duhet të dijë edhe të njohë suksesin, ta vlerësojë progresin dhe të motivojë ata që ndërtojnë. Sepse përparimi nuk matet vetëm me atë që ende nuk e kemi arritur, por edhe me atë që kemi arritur dhe që mund ta shndërrojmë në bazë për hapin tjetër. Shqipëria po dëshmon se edhe në një rajon me shumë sfida, revolucioni digjital mund të mos jetë vetëm një slogan, por një investim konkret në brezat e rinj, në arsim, në tregun e punës dhe në të ardhmen.

Për këto arritje: përgëzime Shqipërisë! Mbetet shumë për t’u bërë, por ka edhe shumë për t’u vlerësuar e për t’u krenuar. Ju lumtë!

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Njeriu që shpenzon 2 milionë dollarë për të ndalur plakjen zbulon...

0
Bryan Johnson, sipërmarrësi amerikan i teknologjisë dhe një nga figurat më të njohura të lëvizjes për jetëgjatësinë, ka shpenzuar miliona dollarë duke studiuar dhe...

Afshi i tokës së shkelur