POSTIMET E FUNDIT

Rama: Problemi i pronave është çështje shqiptare, jo etnike!

Kryeministri Edi Rama, gjatë një bisede në Forumin Ekonomik të Delfit me Alexis Papahelas, kryeredaktor i ‘Kathimerini’, u ndal te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke trajtuar çështjen e pronave, tensionet e krijuara nga rasti Beleri dhe ambicien për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

Rama theksoi se problemi i pronave në Shqipëri është një çështje e përgjithshme, jo specifike për pakicën greke. 

Problemi me pronën edhe në zonat ku ka qytetarë etnikë grekë nuk është aspak ndryshe nga problemet që kanë qytetarët shqiptarë në të njëjtat zona apo kudo tjetër. Është thjesht një problem shqiptar, që po e trajtojmë. Për gjysmë shekulli nuk patëm tokë private. Nuk lejohej të kishim asnjë metër tokë në pronësinë tonë, madje as dhe një automjet privat. Pas 50 vitesh, më në fund e ndryshuam atë regjim dhe prona ishte çështja kryesore. Asokohe u miratua një ligj, me konsensusin si të opozitës, ashtu edhe të partisë që vinte nga e shkuara, për t’u dhënë letër përdorimi, titull përdorimi, jo titull pronësie, të gjithë atyre që punonin tokën, ndërkohë që duhej të trajtoheshin edhe ish-pronarët. Në atë kohë u krijua një mbivendosje dhe, përgjatë viteve, njerëzit që kishin titull përdorimi të tokës u bënë pronarë, ndërsa pronarët u bënë ish-pronarë. U krijua edhe një shtresë e tretë, që ishin shumë njerëz që vinin nga zonat rurale dhe ndërtuan në mënyrë të paligjshme kudo që mundën, në tokë bujqësore. Nuk kishte rrugë tjetër përveçse t’i legalizonim.

Ai kujtoi se trashëgimia e regjimit komunist, ku prona private nuk ekzistonte, ka krijuar mbivendosje mes titujve të përdorimit dhe pronësisë, duke sjellë sfida të vazhdueshme.

Prej dhjetë vitesh po merremi me këtë, duke pastruar sa më shumë të mundemi dhe duke e digjitalizuar procesin. Për ta përmbledhur shkurt: askush nuk mund të provojë të kundërtën e asaj që po ju them, që problemi me pronat, edhe në zonat ku ka qytetarë etnikë grekë, nuk është aspak ndryshe nga problemet që kanë qytetarët shqiptarë në të njëjtën zonë dhe kudo tjetër. Është thjesht një problem shqiptar për shqiptarët dhe për qytetarët etnikë grekë, të cilin po e trajtojmë. Për shkak se kemi një nivel të rëndësishëm të kujdesit dhe respektit për pakicën greke, ne u kemi kushtuar vëmendje të posaçme atyre. Dua të përgëzoj Mitsotakis, i cili ka qenë këmbëngulës për këtë, dhe unë e kam konsideruar një gjë të mirë.” shtoi Rama.

Kryeministri pranoi se rasti i Fredi Belerit ka krijuar tensione në marrëdhëniet mes dy vendeve. 

Çështja Beleri krijoi disa vështirësi në marrëdhënien tonë, nuk ka dyshim, por kemi qenë gjithmonë respektues dhe të hapur me njëri-tjetrin, pa bërë teatër. Vendosëm që nuk duhet t’i lëmë vendet tona të përpihen nga këto lloj zënkash. Ne duhet që njëherë e mirë të zgjidhim të gjitha çështjet që ka midis nesh.” 

Ai shtoi se palët kanë vendosur të mos lejojnë që mosmarrëveshjet të dominojnë raportet dypalëshe dhe se ambicia e përbashkët është që deri në vjeshtën e ardhshme të arrihet dakordësi e plotë. 

Ambicia jonë është të përfundojë brenda këtij viti dhe vjeshtën e ardhshme të përfundojnë të gjitha çështjet. Kemi një aset të madh për ne, pakica greke, dhe një aset për ju, shqiptarët që jetojnë këtu dhe janë të integruar.”

Rama u shpreh optimist se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë do të konsolidohen më tej, duke u bazuar në respektin reciprok dhe në vlerësimin e pakicave.

“Nuk pres rifillim, kemi rifilluar. Presim një fund në fund të vitit, të dy shpresojmë,” tha ai, duke shtuar se kujdeset të shmangë shakatë në një mjedis kaq delikat, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB