Ministri i Mbrojtjes, gjatë vizitës zyrtare në Zagreb javën e kaluar, u takua me Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović. Takimi u fokusua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në rikonfirmimin e angazhimit të përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore, të cilësuar si një prioritet strategjik për të dy vendet.
“Gjatë javës së kaluar, në Zagreb, pata kënaqësinë të takohem me Presidentin kroat Zoran Milanović. Rikonfirmuam se ruajtja dhe forcimi i paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore mbetet një prioritet i përbashkët strategjik për të dy vendet tona,” u shpreh ministri.
Ministri theksoi se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Kroacisë po thellohet më tej, veçanërisht në kuadër të NATO-s. Ai nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve ushtarake dhe rritjes së ndërveprueshmërisë përmes stërvitjeve të përbashkëta, duke e parë këtë si një element kyç për forcimin e sigurisë rajonale.
“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes po thellohet më tej, përmes zhvillimit të kapaciteteve ushtarake dhe rritjes së ndërveprueshmërisë nëpërmjet stërvitjeve të përbashkëta në kuadër të NATO-s,” theksoi Nufi.
Ministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme teknike që Kroacia i jep Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë proces si të pakthyeshëm dhe të domosdoshëm për të ardhmen e vendit.
“Shpreh mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme teknike që Kroacia i jep Shqipërisë në rrugën e saj të pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE,” u shpreh ai, transmeton rtsh.




