Qindra mijëra besimtarë myslimanë nga mbarë bota janë mbledhur në rrafshinën e Arafatit, pranë Mekës, për të përjetuar fazën më të rëndësishme dhe më të shenjtë të pelegrinazhit të Haxhit.
Qëndrimi në Arafat, i njohur si “Wuquf Arafah”, konsiderohet shtylla kryesore e Haxhit dhe momenti kulmor i këtij rituali madhor islam. Pelegrinët po kalojnë ditën në lutje, lexim të Kuranit dhe kërkim faljeje, në një atmosferë të mbushur me përulësi, reflektim shpirtëror dhe përkushtim ndaj Zotit.
Sipas traditës islame, dita e Arafatit është ndër ditët më të shenjta në kalendarin islamik, e lidhur ngushtë me mëshirën hyjnore, faljen e mëkateve dhe ripërtëritjen shpirtërore të besimtarëve.
Një ditë më parë, pelegrinët kishin përfunduar vendosjen në Mina për Ditën e Tarvijes, ku kaluan natën duke ndjekur traditën e Profetit Muhamed, para nisjes drejt Arafatit.
Autoritetet saudite kanë bërë të ditur se janë angazhuar struktura të shumta sigurie, ekipe shëndetësore dhe shërbime të tjera logjistike për të garantuar sigurinë dhe lëvizjen e qetë të pelegrinëve gjatë gjithë ritualeve të Haxhit.
Pas perëndimit të diellit, besimtarët do të nisen drejt Muzdelifes, ku do të kalojnë natën dhe do të mbledhin gurë të vegjël për ritualin simbolik të goditjes së shtyllave që përfaqësojnë djallin në Mina, në kuadër të festës së Kurban Bajramit.
Pelegrinazhi i sivjetshëm pritet të përfundojë të shtunën, ndërsa miliona myslimanë në mbarë botën ndjekin me përkushtim dhe emocion zhvillimet e këtij udhëtimi të shenjtë, transmeton rtk.




