Në krye të protestës janë edhe djemtë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Protestuesit kërkojnë ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe mbështetje për mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Për të tretën natë me radhë, qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në krye të tubimit janë parë edhe Endriti Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, dhe Klestori Veseli, djali i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli. Protesta po zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të gjykatës.
Një prej kërkesave kryesore të protestuesve është ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe mbështetje e pakufizuar për mbrojtjen ligjore të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Njëri prej organizatorëve të tubimeve, Çlirim Haziri, tha se protesta nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, por edhe me atë që protestuesit e konsiderojnë si mbrojtje të së vërtetës dhe historisë së Kosovës.
“Jemi mbledhur jo vetëm për të mbrojtur çlirimtarët, por për të mbrojtur të vërtetën tonë, historinë tonë të pasur dhe dinjitetin e popullit që u ngrit nga hiri për të kërkuar liri”, deklaroi Haziri.
Në protestë ka folur edhe aktori Basri Lushtaku, i cili ka bërë thirrje për bashkim dhe vazhdim të mbështetjes për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Lushtaku ka renditur dy kërkesat kryesore të protestuesve: ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe mbështetje të pakufizuar për mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Kosova e ka paguar çmimin më të lartë për lirinë e saj. Liria jonë është fituar me gjakun e dëshmorëve, me sakrificën e grave e burrave dhe me qëndresën e secilit prej nesh”, tha Lushtaku.
Protesta vjen pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas aktgjykimit të përmendur nga organizatorët, Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet, duke e çuar dënimin e përgjithshëm në 81 vjet burgim.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe gjatë ditës, përfshirë një tubim të organizuar nga Veteranët e Luftës.
Ndërsa qindra qytetarë vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin “Skënderbeu”, tubimi po vijon pa incidente të raportuara, me protestuesit që kërkojnë ndryshime ligjore dhe mbështetje për mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së./BS










