Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (QKKSH) organizoi takimin e dytë për vitin 2026 të Komitetit Këshillues Rajonal të Kërkim-Shpëtimit Aeronautik (RASARAC), ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal, koordinimi i operacioneve ajrore dhe lehtësimi i procedurave për ndërhyrjet ndërkufitare në raste emergjencash.
Në këtë takim të nivelit të lartë mori pjesë edhe Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda, e cila në fjalën e saj theksoi angazhimin e Shqipërisë për zhvillimin e një sistemi kërkim-shpëtimi me kapacitete të shtuara, reagim më të shpejtë dhe efikasitet më të lartë operacional.
Sipas saj, ndërtimi i një sistemi të fuqishëm të kërkim-shpëtimit nuk përfaqëson vetëm një prioritet kombëtar, por edhe një përgjegjësi të përbashkët rajonale dhe ndërkombëtare, duke pasur parasysh rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve në përballimin e emergjencave ajrore.
Vëmendje kapaciteteve dhe bashkëpunimit ndërkufitar
Gjatë takimit, përfaqësuesit e vendeve anëtare diskutuan mbi kapacitetet dhe asetet ekzistuese të kërkim-shpëtimit aeronautik (SAR), si dhe mundësitë për përmirësimin e koordinimit operacional.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua shkëmbimit të informacionit në kohë reale, harmonizimit të procedurave dhe thjeshtimit të protokolleve për ndërhyrjet e shpejta përtej kufijve shtetërorë. Këto masa synojnë të krijojnë një mekanizëm më të koordinuar reagimi, duke mundësuar bashkërendimin e strukturave përgjegjëse në situata emergjente.
SAREX-2026, në provë gatishmëria operacionale
Takimi i RASARAC shërben gjithashtu si një fazë përgatitore për zhvillimin e stërvitjes ndërinstitucionale të kërkim-shpëtimit aeronautik SAREX-2026, e planifikuar të zhvillohet ditën e nesërme.
Stërvitja do të synojë testimin e gatishmërisë operacionale, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe verifikimin e mekanizmave të koordinimit mes strukturave kombëtare dhe partnerëve rajonalë.
Përmes simulimit të situatave emergjente, SAREX-2026 do të vërë në provë aftësinë e institucioneve për të shkëmbyer informacion, për të koordinuar burimet dhe për të reaguar në mënyrë të sinkronizuar.
Zhvillimi i takimit të RASARAC dhe stërvitjes SAREX-2026 përbën një tjetër hap në drejtim të forcimit të kapaciteteve të kërkim-shpëtimit aeronautik dhe konsolidimit të bashkëpunimit rajonal për përballimin e emergjencave ajrore, transmeton rtsh.










