Takim me personalitete të shquara të diplomacisë japoneze dhe ndërkombëtare në Tokio, me fokus dialogun, multilateralizmin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Prof. Dr. Sabri Kiçmari, ka zhvilluar një takim me profesorin Hisashi Owada, ish-president i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), në një aktivitet ku ishin të pranishëm edhe personalitete të njohura të diplomacisë japoneze dhe të Kombeve të Bashkuara. Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori Kiçmari, përmes një postimi, ku ka shprehur kënaqësinë dhe nderin për këtë takim, në të cilin morën pjesë edhe bashkëshortja e profesorit Owada, znj. Owada, si dhe dy diplomatë të njohur, Yasushi Akashi dhe Sukehiro Hasegawa. Takimi u zhvillua në të njëjtën ditë kur profesori Hisashi Owada mbajti një ligjëratë në Universitetin e Kombeve të Bashkuara, me temën “Sistemi i Kombeve të Bashkuara përballë globalizimit dhe roli i Japonisë”. Gjatë ligjëratës, profesori Owada trajtoi sfidat me të cilat përballet sistemi i Kombeve të Bashkuara në kushtet e globalizimit dhe ndërvarësisë gjithnjë e më të madhe ndërmjet shteteve. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit, përgjegjësive dhe potencialit të Japonisë në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ambasadori Kiçmari e cilësoi këtë takim si një mundësi të veçantë për shkëmbim idesh dhe reflektim mbi zhvillimet aktuale në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sipas tij, takime të tilla rikonfirmojnë rëndësinë e dialogut, urtësisë diplomatike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht në një periudhë kur rendi ndërkombëtar po përballet me sfida të shumta. Ky takim përbën gjithashtu një rast të rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave dhe perspektivave ndërmjet përfaqësuesve diplomatikë, akademikëve dhe personaliteteve që kanë dhënë kontribut në diplomacinë ndërkombëtare dhe në institucionet e Kombeve të Bashkuara. Përmes angazhimeve të tilla, diplomacia kosovare vazhdon të krijojë hapësira komunikimi dhe bashkëpunimi me personalitete dhe institucione ndërkombëtare, duke e mbajtur Kosovën pjesë të dialogut mbi çështjet që lidhen me paqen, drejtësinë dhe të ardhmen e bashkëpunimit global, transmeton helveticALforum.ch.
Përgatiti D.H










