Mbrojtja pritet të kundërshtojë vendimin e shkallës së parë. Dhomat e Specializuara sqarojnë afatet dhe procedurat që ndjek procesi në shkallën e dytë.
Me shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, procesi gjyqësor nuk përfundon. Vendimi i shkallës së parë mund të kundërshtohet në Gjykatën e Apelit, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta ndjekin këtë rrugë ligjore. Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të paraqesë njoftimin për apel pasi t’u dorëzohet aktgjykimi i plotë me shkrim. Avokatët kanë deklaruar se kundërshtimet e tyre lidhen me çështje faktike, ligjore dhe procedurale. Kryembrojtësi i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ka thënë se ekipi mbrojtës synon të kundërshtojë ato që i konsideron gabime në vendimin e shkallës së parë.
“Mbrojtja do ta paraqesë zyrtarisht njoftimin për Apel, me qëllim korrigjimin e këtyre gabimeve faktike, ligjore dhe procedurale pranë Panelit të Apelit”, ka deklaruar Mishetiq. Edhe ekipet e mbrojtjes së Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kanë paralajmëruar apelimin e vendimit. Pas shpalljes së aktgjykimit, avokatët e tyre e kanë kundërshtuar atë dhe kanë bërë të ditur se çështja do të dërgohet në shkallën e dytë.
Si zhvillohet procedura e Apelit?
Sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës, pas marrjes së aktgjykimit me shkrim, mbrojtja dhe Prokuroria kanë 30 ditë kohë për të paraqitur njoftimin për apel. Në këtë dokument duhet të përcaktohen edhe bazat mbi të cilat kundërshtohet vendimi. Në rast të paraqitjes së apelit, Presidenti i Dhomave të Specializuara cakton një trup gjykues prej tre gjyqtarësh për shqyrtimin e çështjes. Por njoftimi për apel është vetëm faza e parë e procesit. Pala që paraqet apelin ka më pas 60 ditë për të dorëzuar parashtresën e plotë, ku duhet të argumentojë në mënyrë të detajuar arsyet e kundërshtimit. Pas kësaj, pala kundërshtare ka 30 ditë për të paraqitur përgjigjen e saj. Pala që ka bërë apelin ka edhe 15 ditë të tjera për t’iu përgjigjur kundërshtimit. Kur apelohet vetëm dënimi, afatet procedurale janë më të shkurtra.
Mund të ketë edhe seancë dëgjimore
Pas përfundimit të shkëmbimit të parashtresave, Trupi Gjykues i Apelit mund të vendosë nëse është e nevojshme të zhvillohet një seancë dëgjimore. Gjatë procesit mund të paraqiten edhe parashtresa të tjera me shkrim, përfshirë kërkesa për pranimin e provave të reja, në përputhje me rregullat që zbatohen në procedurën e apelit. Më pas, gjyqtarët hyjnë në deliberim, faza në të cilën shqyrtojnë dhe diskutojnë çështjen përpara marrjes së vendimit.
Çfarë mund të vendosë Apeli?
Sipas procedurës së Dhomave të Specializuara, pasi të përfundojnë parashtresat, Trupi Gjykues i Apelit mund të shqyrtojë vendimin e shkallës së parë dhe të marrë një nga disa vendime të mundshme. Aktgjykimi i Apelit mund të vërtetojë, rrëzojë ose ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë. Sipas Dhomave të Specializuara, vendimi i Apelit shpallet brenda 60 ditësh nga dorëzimi i parashtresës së fundit, përveç rasteve kur rrethanat e çështjes kërkojnë zgjatjen e këtij afati. Kështu, shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë shënon një fazë të re të procesit, ndërsa vendimi përfundimtar do të varet nga procedura dhe shqyrtimi që do të zhvillohet në shkallën e dytë, transmeton rtk.










