Një tjetër incident i rëndë sigurie ka rikthyer në qendër të vëmendjes rrezikun që shoqëron politikën në SHBA, ndërsa presidenti Donald Trump ka reaguar me tone të drejtpërdrejta pas të shtënave të raportuara gjatë një eventi në Washington, D.C.. Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump deklaroi se edhe niveli më i lartë i sigurisë nuk mund të garantojë mbrojtje të plotë përballë individeve të rrezikshme. “Mund të kesh sigurinë më të madhe në botë, por nëse ke një person me mendje të çrregullt, ai mund të krijojë probleme,” u shpreh ai para gazetarëve.
I pyetur nëse është e mundur të ulet tensioni politik pas incidentit, presidenti dha një përgjigje ironike, duke sugjeruar se kjo do të ishte e mundur vetëm nëse ai do të tërhiqej nga aktiviteti politik. Sipas tij, përfshirja në politikë në SHBA ka një “kosto”, duke nënkuptuar rrezikun e vazhdueshëm që vjen me këtë rol.
Trump theksoi gjithashtu se dhuna politike nuk është një fenomen i izoluar, por ekziston në mbarë botën. “Nuk mund të imagjinoj ndonjë profesion më të rrezikshëm,” tha ai, duke shtuar se “asnjë vend nuk është imun”.
Ky incident është i treti me armë zjarri ose tentativë e tillë që lidhet me Trump në vitet e fundit, duke krijuar një model shqetësues për sigurinë e figurave të larta politike në SHBA. Kujtohet se në korrik 2024, gjatë një tubimi në Butler, Pensilvani, një 20-vjeçar hapi zjarr ndaj tij, në një ngjarje që konsiderohet si moment kyç për presidencën e tij.
Ngjarja e fundit ka sjellë në kujtesë edhe një episod historik, pasi ndodhi në të njëjtin hotel ku në vitin 1981 u qëllua ish-presidenti Ronald Reagan.
Pavarësisht incidentit, raportimet nga mediat amerikane thonë se Trump është shfaqur në një gjendje relativisht të qetë dhe optimiste, edhe pse rreziku ndaj tij duket se është një realitet që ai e ka konsideruar shpesh gjatë karrierës së tij politike.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë ende në vijim, ndërsa autoritetet po analizojnë motivet dhe rrethanat që çuan në këtë incident të fundit./BS




