POSTIMET E FUNDIT

Nxënësit shqiptarë shkëlqejnë në Olimpiadën Botërore të Matematikës në Gjermani

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, priti në takim nxënësit e ekipit përfaqësues të Kosovës, të cilët u kthyen me sukses të jashtëzakonshëm nga Olimpiada Botërore e Matematikës, e mbajtur në Frankfurt të Gjermanisë.

Në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare morën pjesë mbi 20 mijë nxënës nga 173 shtete të botës. Ekipi i Kosovës u përfaqësua nga tetë nxënës, të cilët arritën rezultate mbresëlënëse, ku secili prej tyre fitoi të paktën dy medalje.

Gjatë takimit, ministri Çeku i përgëzoi nxënësit për angazhimin, përkushtimin dhe suksesin e treguar në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi se këto rezultate janë dëshmi e potencialit dhe talentit që të rinjtë e Kosovës posedojnë në fushën e shkencës dhe matematikës.

“Ky sukses është krenari për vendin dhe motivim për gjeneratat e reja që të ndjekin rrugën e dijes dhe të arritjeve shkencore”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Nga ana tjetër, nxënësit falënderuan ministrin për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa ndanë edhe përvojat e tyre nga pjesëmarrja në këtë olimpiadë botërore, duke e cilësuar atë si një eksperiencë të vlefshme dhe frymëzuese, transmeton MASHK, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB