Rreth 1 milionë vezë rezulton se janë importuar nga Serbia, çdo muaj, për tetë muajt e fundit dhe janë hedhur në treg si produkt i vendit. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për periudhën janar-gusht 2026, kompani shqiptare kanë importuar një sasi prej 534,846 kilogramë vezë nga Serbia.
Në një përgjigje për qendrën “Alert”, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk ka bërë të ditur emrat e importuesve, ndaj mbetet e paqartë se cilët janë tregtuesit që vezën serbe e kanë ambalazhuar dhe hedhur në treg si produkt shqiptar. Po ashtu nuk sqarohet nëse sasia e vezëve të importuar është e Klasit A, vezë konsumi, apo e Klasit B, vezë të cilat përdoren për përpunim në industri. Ndonëse sasia e vezëve të importuara në vend është llogaritur në kilogramë, sipas një mesatareje të përafërt me peshën e një kokrre veze, përllogaritet që në tetë muajt e fundit kanë hyrë në vend rreth 8 milionë kokrra vezë. Pavarësisht se vezët që tregtohen në marketet shqiptare, në etiketim deklarojnë se janë produkt i vendit, ka gjasë që një pjesë e tyre tyre të jenë vezë të importuara nga Serbia, transmeton shekulli.










