BallinaDiasporaNJË MBRËMJE MIQËSIE, SHPRESE DHE BASHKËPUNIMI!

NJË MBRËMJE MIQËSIE, SHPRESE DHE BASHKËPUNIMI!

Nga Shefqet Cakolli, President i SHKA “Dardania” në Winterthur

Winterthur, 22 korrik 2026 – Mbrëmë pata kënaqësinë ta vizitoj në shtëpinë e tij mikun tim të çmuar, Nagip Memedin, njëherit edhe kryetar i SH.K.A. “Iliria” në St. Gallen dhe bashkëorganizator i festivalit Diaspora Fest 2026, që do mbahej në fillim të vitit.

Pas një sfide të rëndë shëndetësore, e cila e detyroi të kalojë afro tetë muaj në spitale, terapi dhe trajtime të vazhdueshme, ishte gëzimi i veçantë ta shihja se gjendja e tij është përmirësuar dukshëm. Fatkeqësisht, pikërisht për shkak të kësaj gjendjeje shëndetësore, që pati miku ynë, u detyruam ta anulonim Diaspora Fest 2026, festivalin që ishte planifikuar të mbahej më 31 janar dhe 1 shkurt 2026. Megjithatë, shëndeti i mikut tonë ishte dhe mbetet shumë më i rëndësishëm se çdo organizim apo projekt.

Edhe pse disa muaj më parë pata rastin ta vizitoj në spitalin e St. Gallenit, në një nga ditët më të vështira të jetës së tij, nën masa të rrepta mjekësore dhe me shumë pasiguri për jetën e tij, kësaj radhe përjetova një ndjenjë krejt tjetër. Përballë meje qëndronte po ai Nagip që njoh prej vitesh, me buzëqeshjen, optimizmin dhe vullnetin e palëkundur për jetën. Përmirësimi i dukshëm i gjendjes së tij më mbushi zemrën me gëzim dhe më bindi edhe një herë se durimi, besimi, poziviteti dhe përkushtimi japin frytet e tyre. Edhe pse vazhdon ende me disa terapi më të lehta, ai tashmë i është rikthyer jetës së përditshme dhe, gradualisht, edhe angazhimeve të rregullta në jetën kulturore e shoqërore.

Screenshot

Vizita jonë u shndërrua në një mbrëmje të jashtëzakonshme miqësore, të mbushur me kujtime, emocione dhe biseda për të ardhmen. Një pjesë të mbrëmjes e kaluam pranë brigjeve të mrekullueshme të liqenit Bodensee, ku qetësia e natyrës dhe mikpritja e ngrohtë krijuan një atmosferë të veçantë, duke na dhënë mundësinë të ndajmë kujtime, ide dhe plane të reja.

Natyrisht, bisedat tona nuk mund të kalonin pa kulturën dhe projektet që na kanë bashkuar ndër vite. Me kënaqësi dëgjova për përgatitjet që tashmë kanë nisur për organizimin e Kultur Fest Rorschach, një festival shumëkulturor që do të organizohet nga SH.K.A. “Iliria” në St. Gallen, nën udhëheqjen e Nagip Memedit.

Ky manifestim pritet të mbledhë mbi 16 komunitete dhe kombe nga mbarë bota që jetojnë në këtë rajon të Zvicrës. Secili do të prezantojë kulturën, traditat, muzikën, vallet dhe gatimet e veta tradicionale, duke e shndërruar festivalin në një festë të vërtetë të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërkulturor. Natyrisht, pjesë e këtij manifestimi do të jenë edhe Kosova dhe Shqipëria, të cilat do të prezantohen me dinjitet përmes kulturës dhe traditave tona kombëtare.

Me kënaqësi të veçantë biseduam edhe për pjesëmarrjen e SH.K.A. “DARDANIA” nga Winterthuri, e cila do të kontribuojë me programin e saj artistik gjatë tri ditëve të festivalit, më 11, 12 dhe 13 shtator të këtij viti. Për ne është nder që, edhe një herë, të japim kontributin tonë në promovimin e kulturës shqiptare dhe në forcimin e urave të miqësisë mes popujve.

Më gëzon jashtëzakonisht fakti që Nagipi po rikthehet gradualisht jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në aktivitetet kulturore, sepse njerëz si ai janë një vlerë e çmuar për komunitetin tonë.

Përvoja, urtësia, përkushtimi dhe dashuria e tij për kulturën shqiptare vazhdojnë të jenë frymëzim për shumë veprimtarë.

Nga zemra i uroj mikut tonë Nagip Memedi shëndet të plotë, forcë dhe jetë të gjatë. Njëkohësisht, i dëshiroj shumë suksese në organizimin e Kultur Fest Rorschach, me bindjen se ky festival do të jetë një urë e bukur miqësie mes popujve dhe një promovim dinjitoz i kulturës shqiptare në Zvicër.

Miqësia e sinqertë dëshmohet në ditët më të vështira, ndërsa kultura mbetet ura më e fortë që bashkon njerëzit dhe popujt.

- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

“Pasluftat e mia” – ndë librat më të njohur dhe më...

0
Nga Agni Aliu "Paslufta e mia", që doli para pak kohësh, është libër kujtimesh, esesh, dëshmishë dhe e analizave politike, e para e llojit të...