BallinaDiasporaBekimi i fëmijëve për fillimin e vitit të ri shkollor

Bekimi i fëmijëve për fillimin e vitit të ri shkollor

Të dielën, më 16 gusht 2026, në bashkësitë tona në Goldau, Sursee dhe Stans, u kremtuan Meshët e shenjta, të cilat kësaj radhe morën një karakter të veçantë me bekimin e fëmijëve me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Meshët ishin të mbushura me besimtarë, ndërsa prania e shumë fëmijëve, të shoqëruar nga prindërit dhe familjarët e tyre, e bëri këtë të diel edhe më të bukur dhe më madhështore. Ishte një dëshmi e bukur e besimit dhe e kujdesit të familjeve tona që, krahas përgatitjeve për shkollë, fëmijët ta fillojnë këtë etapë të re edhe me lutje dhe me bekimin e Zotit.

Në predikimin e rastit, Don Antoni, përveç shpjegimit të Ungjillit të së dielës, u ndal në mënyrë të veçantë te fëmijët dhe familjet e tyre. Duke lutur bekimin dhe mbrojtjen e Zotit mbi ta, ai u uroi fëmijëve sukses, mbarësi dhe shumë gëzim në mësime dhe në vitin e ri shkollor.

Një porosi të veçantë ua drejtoi edhe prindërve, duke i ftuar që, krahas kujdesit për mirëqenien fizike dhe materiale të fëmijëve, t’i kushtojnë rëndësi të veçantë edhe edukimit të tyre njerëzor dhe shpirtëror. Familja mbetet vendi i parë ku fëmijët mësojnë vlerat, dashurinë, respektin, përgjegjësinë dhe besimin.

Në përfundim të Meshëve, me lutjen dhe bekimin e veçantë për fëmijët, iu besua Zotit rrugëtimi i tyre gjatë këtij viti shkollor, me dëshirën që Ai t’i përcjellë, t’i ndriçojë dhe t’i ruajë në çdo hap.

Të gjithë fëmijëve dhe të rinjve tanë u dëshirojmë një vit të ri shkollor të mbarë, plot suksese, dije, gëzim dhe bekimin e Zotit! /MKSH

Foto: Nue Tuqi; Alfred Gjokaj dhe Denis Raja

- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Dita e parë e shkollës, një fillim i ri edhe për...

0
Nga Dashnim HEBIBI Bülach – Sot, në të gjithë Zvicrën, pas pushimeve verore, ka nisur një vit i ri shkollor. Për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë,...