
Nga Dashnim HEBIBI
Bülach – Sot, në të gjithë Zvicrën, pas pushimeve verore, ka nisur një vit i ri shkollor. Për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, kjo ditë është një moment i veçantë: një rikthim te bankat shkollore, te shoqëria, por mbi të gjitha te dija dhe përgatitja për të ardhmen.
Në Bülach të kantonit të Cyrihut takuam disa të rinj shqiptarë, të cilët herët në mëngjes ishin nisur për në shkollë. Pas javëve të pushimeve verore, shumë prej tyre kishin kaluar kohë në atdheun e prindërve dhe gjyshërve. Për disa, nata para fillimit të shkollës kishte qenë e mbushur me emocione, pasi tashmë duhej t’i jepnin fund pushimeve dhe t’i riktheheshin ritmit të përditshëm.
Adi 12 vjeçar, me prejardhje nga Presheva dhe që jeton në Höri të kantonit të Cyrihut, na tregoi se kjo javë do të jetë pak më ndryshe, me një ritëm më të ngadalshëm dhe emocional, por shprehu kënaqësinë që më në fund erdhi dita për t’u kthyer në shkollë.
“Pushimet janë të mira, por është edhe më mirë që tash po shkojmë në shkollë. Takojmë shoqërinë, mësojmë dhe herë pas here edhe luajmë”, tha Adi, duke e përshkruar me optimizëm rikthimin në bankat shkollore.
Edhe për Danën 13 vjeçare, e cila jeton dhe vepron në Höri, ndërsa shkollën e ndjek në Bülach, dita e parë e shkollës ishte një ditë e mirë. Edhe pse shiu binte, ajo dhe shokët e saj u nisën me gëzim drejt shkollës. Një veçori interesante që bie në sy në shkollat e kësaj zone është prania e madhe e nxënësve shqiptarë. Sipas fëmijëve shqiptarë që takuam, në një nga klasat ka nxënës shqiptarë nga treva të ndryshme shqiptare. Vetëm në klasën e Adit janë nëntë nxënës shqiptarë, me prejardhje nga vende të ndryshme të hapësirës shqiptare.
Kjo është edhe një dëshmi se mërgata shqiptare në Zvicër po rritet dhe se gjenerata e re po bëhet gjithnjë e më e pranishme në shoqërinë zvicerane.
Por ajo që të bën përshtypje te këta të rinj është fakti se ata arrijnë të ruajnë një lidhje të fortë me vendin e origjinës së prindërve dhe gjyshërve, ndërkohë që janë të angazhuar me përkushtim edhe në vendin ku kanë lindur, janë rritur dhe jetojnë. Për ta, shkolla është më shumë se një detyrim. Është një mundësi për të mësuar, për t’u shoqëruar, për të ndërtuar të ardhmen dhe për t’u integruar në shoqërinë ku jetojnë. Kjo ditë e parë e shkollës, me shiun e mëngjesit dhe emocionet e rikthimit pas pushimeve, është një tjetër kapitull në jetën e kësaj gjenerate shqiptare në Zvicër – një gjeneratë që ecën drejt dijes, pa i harruar rrënjët e saj. Suksese !









