BallinaArsimiNis viti i ri akademik, rreth 20 mijë studentë ulen sot në...

Nis viti i ri akademik, rreth 20 mijë studentë ulen sot në auditorë

-

Tiranë – Universitetet shqiptare hapin sot dyert për vitin e ri akademik, me rreth 20 mijë studentë të rinj që pritet të ulen për herë të parë në auditorë pas përfundimit të dy raundeve të para të regjistrimeve.

Procesi i pranimeve në institucionet e arsimit të lartë nuk ka përfunduar ende. Për kandidatët që nuk kanë arritur të sigurojnë një vend në dy raundet e para, do të zhvillohet edhe një raund i tretë regjistrimesh, i cili do të nisë më 8 tetor dhe do të zgjasë deri më 21 tetor.

Sipas gazetares së RTSH-së, Keti Toroveci, ky raund do të jetë i hapur për të gjithë kandidatët që dëshirojnë të regjistrohen në programet ku kanë mbetur kuota të lira.

“Do të jetë një fazë e hapur, ku të gjithë studentët që kanë interes për t’u regjistruar do të mund të aplikojnë në programet ku ka ende vende të lira”, bëri të ditur Toroveci gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri – Aktualitet”.

Rreth 1 mijë studentë pritet të regjistrohen në raundin e tretë

Bazuar në eksperiencat e viteve të mëparshme, në raundin e tretë pritet të regjistrohen rreth 1 mijë studentë të tjerë. Nëse parashikimet realizohen, numri i studentëve të regjistruar për vitin e parë akademik pritet të shkojë në rreth 21 mijë.

Megjithatë, jo të gjitha degët do të jenë të disponueshme gjatë këtij raundi. Disa prej programeve më të kërkuara kanë plotësuar tashmë kuotat e tyre.

Ndër degët që kanë ezauruar vendet e parashikuara janë Mjekësia e Përgjithshme, Stomatologjia, Farmacia, Inxhinieria dhe Informatika.

Kandidatët që ende nuk kanë siguruar një vend në universitet do të kenë mundësi të zgjedhin mes programeve që vazhdojnë të kenë kuota të lira.

120 mijë studentë në universitetet shqiptare

Ndërkohë, në total, në auditorët e universiteteve shqiptare pritet të jenë rreth 120 mijë studentë, duke përfshirë të gjitha vitet e studimit.

Nisja e vitit të ri akademik shënon rikthimin e mijëra të rinjve në auditorë, ndërsa universitetet do të vijojnë paralelisht procesin e plotësimit të kuotave të mbetura gjatë raundit të tretë të regjistrimeve.

Për maturantët që ende nuk kanë arritur të sigurojnë një vend, periudha deri më 21 tetor mbetet mundësia e fundit për të përfituar nga programet universitare ku ka ende vende të lira, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kuvendi miraton në lexim të parë ndryshimin e Ligjit për Specialen,...

0
Prishtinë, 5 tetor 2026 – Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën, në lexim të parë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat...